Dumani në tryezën kundër korrupsionit: Gjyqtarët e Vettingut nën vëzhgim, SPAK përparon me hetimet

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ngriti shqetësime serioze lidhur me integritetin e disa gjyqtarëve që kanë kaluar procesin e vettingut dhe janë ende pjesë e sistemit.

Deklaratat u bënë gjatë një tryeze të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Qendra ALTRI dhe Friends of Europe (FoE), mbështetur nga Bashkimi Evropian, për të adresuar luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e drejtësisë.

Dumani theksoi se SPAK ka regjistruar ndjekje penale ndaj një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. “Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara nga vettingu, por ata që vazhdojnë të ushtrojnë funksionin. Kemi detyrë të ndjekim çdo indicie për korrupsion,” tha Dumani, duke nënvizuar se aktet korruptive vazhdojnë të jenë një rrezik edhe për ata që kanë kaluar filtrin e vettingut.

SPAK ka përdorur teknika të avancuara hetimore, përfshirë përgjimet, për të mbledhur prova mbi korrupsionin. Megjithatë, për disa vepra penale, si rasti i nenit 257/a të Kodit Penal, përdorimi i përgjimeve mbetet i ndaluar. “Në rastet e korrupsionit kemi shfrytëzuar të gjitha metodat e lejuara ligjërisht për mbledhjen e provave,” tha Dumani, duke shtuar se bazat e dhëna nga vendimet e vettingut kanë shërbyer si indicie për hetime të mëtejshme.

Gjatë aktivitetit u prezantuan të dhënat mbi performancën e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për periudhën janar-dhjetor 2023. Dumani vuri në dukje se këto të dhëna përbëjnë një bazë të vlefshme për të përmirësuar hetimet dhe për të shmangur gabimet në procesin penal.

Dumani ftoi shoqërinë civile të intensifikojë bashkëpunimin me SPAK për të luftuar korrupsionin në mënyrë më efektive. “Shoqëria civile mund të shërbejë si një burim i rëndësishëm analizash dhe sugjerimesh për performancën tonë,” deklaroi ai, duke theksuar hapjen e institucionit ndaj ndërveprimit me organizatat civile dhe transparencën ndaj çështjeve jo-sekrete.

Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte përdorimi i ligjit anti-mafia për konfiskimin e pasurive të gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu. Dumani konfirmoi se disa raste kanë çuar në konfiskime të suksesshme, duke theksuar se rezultatet e hetimeve administrative janë një bazë solide për ndjekjen penale.

SPAK ka ndjekur penalisht edhe gjyqtarë dhe oficerë të policisë gjyqësore për akte korruptive. “Ndjekjet penale kanë përfshirë zyrtarë të niveleve më të larta të drejtësisë, përfshirë anëtarë të KLGJ dhe KLP,” theksoi Dumani, duke nënvizuar vendosmërinë e institucionit për të adresuar korrupsionin në të gjitha nivelet.

Në përmbyllje, kreu i SPAK shprehu angazhimin për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe për të forcuar besimin publik në drejtësi. “Jemi të përkushtuar për të mos bërë gabime dhe për të sjellë rezultate konkrete në ndjekjen penale të shkeljeve,” përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera