Rusia lëshon 805 dronë mbi Ukrainë, goditet për herë të parë selia e qeverisë në Kiev, humbjet në jetë dhe dëme masive trondisin vendin
Në orët e para të së dielës, mbi kryeqytetin ukrainas u zhvillua një nga sulmet më të rënda që nga nisja e luftës, me Rusinë që lëshoi 805 dronë dhe 13 raketa. Bilanci është tragjik: tre persona humbën jetën, mes tyre një foshnjë, dhe 18 të tjerë u plagosën. Selia qendrore e qeverisë pësoi dëme serioze.
Kryeministrja Yulia Svyrydenko, në një reagim të menjëhershëm në Telegram, konfirmoi se çatia dhe katet e sipërme të godinës së qeverisë u dëmtuan për herë të parë nga një sulm armik. “Ekipet e shpëtimit po punojnë për të shuar zjarrin”, deklaroi ajo.
Dëshmitarët e Reuters raportuan se katet e sipërme të ndërtesës qeveritare në lagjen historike Pecherskyi po digjeshin, ndërsa tymi i dendur ngrihej në qiellin e pastër të mëngjesit. Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se 751 dronë dhe katër raketa u neutralizuan nga mbrojtja ajrore.
Ky është numri më i madh i dronëve të përdorur nga Rusia në një sulm të vetëm që nga pushtimi i plotë në shkurt 2022. Në lagjen Darnytskyi, forcat e shpëtimit gjetën trupin e foshnjës nën rrënoja, ndërsa një grua e re humbi jetën në të njëjtin rajon.
Zyrtarët e emergjencës raportuan se sulmi shkaktoi zjarre në disa pjesë të qytetit. Kryebashkiaku Vitali Klitschko bëri të ditur se një grua e moshuar humbi jetën në një strehë bombash dhe një grua shtatzënë ishte mes të plagosurve.
Në lagjen perëndimore Sviatoshynskyi, disa kate të një ndërtese nëntëkatëshe u shkatërruan, ndërsa mbeturinat e dronëve ndezën zjarre në një pallat 16-katësh dhe dy ndërtesa të tjera. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë fasada të shembura dhe apartamente të rrënuara.
Svyrydenko u bëri thirrje aleatëve të rrisin furnizimet me armë. “Ne do të rindërtojmë ndërtesat, por jetët e humbura nuk mund të kthehen. Armiku po terrorizon popullin tonë çdo ditë”, theksoi ajo.
Sulmet nuk u kufizuan vetëm në Kiev. Në Kremençuk, shpërthimet dëmtuan një urë mbi lumin Dnieper dhe ndërprenë energjinë elektrike. Në Krivyi Rih u godit infrastruktura e transportit, ndërsa në Odesa u dëmtuan ndërtesa banimi dhe u shpërthyen zjarre në disa blloqe apartamentesh.
Për shkak të kërcënimit ajror, Polonia aktivizoi avionët e saj dhe të aleatëve për të mbrojtur hapësirën ajrore. Ndërkohë, Moska nuk dha asnjë koment zyrtar mbi sulmet, duke vijuar një konflikt që ka shkaktuar mijëra viktima civile që nga viti 2022.