Sulmi i SHBA në Venezuelë: numri i viktimave shkon në 80, banorët rrëfejnë tmerrin

Numri i të vrarëve nga sulmi amerikan në Venezuelë një ditë më parë është rritur në 80. Kjo shifër është dyfishi i vlerësimit të mëparshëm dhe, sipas burimeve, pritet të rritet në ditët në vijim.

Ushtria e Venezuelës ka njoftuar se mbështet Rodriguez si presidente të përkohshme. Ndërkohë, Donald Trump ka deklaruar në adresë të saj: “Bëj gjënë e duhur ose do të paguash më keq se ai (Maduro).”

Disa shtëpi në qytetin Catia La Mar, pranë kryeqytetit venezuelian Caracas, u dëmtuan ose u shkatërruan gjatë operacionit ushtarak amerikan që kishte në shënjestër Presidentin Nicolás Maduro, thanë banorët.

Jonatan Mallora, një shofer taksie me motor 50-vjeçar, dhe fqinj i tij, Angel Álvarez, një shitës i ri rrugor, treguan se të shtunën u zgjuan nga shpërthimet në komunitetin e tyre në shtetin La Guaira, rreth 31 kilometra në veri të Caracasit.

Autoritetet venezueliane deklaruan se Shtetet e Bashkuara goditën zona në La Guaira, Caracas dhe në shtetet fqinje Miranda dhe Aragua, dhe se viktimat përfshijnë ushtarë, civilë dhe pjesën më të madhe të ekipit të sigurisë së Maduros.

Lagjja e vogël Romulo Gallegos, ku jetojnë Mallora dhe Álvarez, u dëmtua gjatë sulmit amerikan ndaj një akademie detare pranë.

“Është thjesht fat që nuk i vranë fëmijët e mi,” tha Mallora mes rrënojave të apartamentit të tij, ku çatia ishte shkatërruar.

Álvarez kontrollonte dëmet nga shrapneli në murin dhe rezervuarin e ujit të apartamentit të tij, një element jetik në një vend ku furnizimi me ujë është i pasigurt. Ai u shpreh i lehtësuar që kishte një depozitë rezervë dhe se shtëpia e tij shpëtoi, ndryshe nga ajo e Mallorës.

“Realisht nuk e dinim çfarë të bënim,” tha Álvarez, duke kujtuar sesi vraponte përpara e mbrapa pasi u zgjuan nga zhurma e madhe. “Nuk do ia uroja askujt përvojën e një sulmi,” shtoi ai. “Ne jemi gjallë nga një mrekulli, të tjerë nuk ia dolën.”

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033