SUBVENCIONET MBULOJNË VETËM 17.9% TË FERMERËVE, 10% E PËRFITUESVE MARRIN 43% TË FONDIT

Vetëm 17.9% e bazës së fermave të përdorur në analizë kanë përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për vitin 2025, ndërsa 10% e përfituesve kanë marrë 43% të të gjithë fondit. Shifrat dalin nga analiza e të dhënave të AZHBR-së dhe evidentojnë diferenca të mëdha mes qarqeve, por edhe një përqendrim të fortë të pagesave te një pjesë e vogël e përfituesve.

Skema Kombëtare e Mbështetjes 2025 shpërndau 5.152 miliardë lekë dhe, sipas raportimit zyrtar të AZHBR-së, mbështeti 65,435 përfitues. Pas konsolidimit të regjistrimeve të përsëritura, analiza është zhvilluar mbi 57,578 përfitues unikë.

Në raport me bazën e fermave të Censusit të Bujqësisë 2012, mbulimi kombëtar rezulton 17.9%. Por diferencat mes qarqeve janë shumë të mëdha.

Korça ka mbulimin më të lartë, me 42.8%, e ndjekur nga Berati me 30.1%, Fieri me 24.7%, Gjirokastra me 24.5% dhe Vlora me 22.8%. Në anën tjetër, Lezha ka vetëm 4.2%, Durrësi 4.7%, Tirana 5.8%, Kukësi 8.7% dhe Dibra 9%.

Kontrasti Korçë–Lezhë është veçanërisht i fortë: 42.8% kundrejt 4.2%, pra rreth dhjetë herë diferencë në shkallën e mbulimit.

Por përqendrimi më i madh vihet re në mënyrën se si ndahet vetë fondi. Vetëm 10% e përfituesve me pagesat më të larta marrin 43% të të gjithë mbështetjes, ndërsa 50% e përfituesve me pagesat më të ulëta marrin vetëm 14.2%.

Pagesa mesatare është 89,486 lekë, ndërsa pagesa mediane është 38,600 lekë. Sipas analizës, 80% e përfituesve marrin së bashku 37.7% të fondit, ndërsa 90% arrijnë në 57%.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është se 85.2% e përqendrimit të pagesave lidhet me diferencat ndërmjet përfituesve brenda të njëjtit qark, ndërsa vetëm 14.8% lidhet me diferencat ndërmjet qarqeve.

Pra, analiza nxjerr në pah tre problematika kryesore: mbulim të kufizuar të bazës së fermave, diferenca të mëdha territoriale dhe përqendrim të fortë të fondeve te një pjesë e vogël e përfituesve.

Këto të dhëna nuk provojnë, të vetme, diskriminim ndaj fermerëve, por ngrenë pikëpyetje serioze mbi kriteret e aksesit, shpërndarjen territoriale dhe mënyrën se si fondet publike arrijnë te fermerët.

Në fund, pyetja që mbetet është: sa fermerë arrin realisht fondi i subvencioneve dhe sa e përqendruar është mbështetja te ata që përfitojnë?

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033