Stuhia dimërore godet SHBA-në: Kentaki dhe Virxhinia shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Një stuhi dimërore e fuqishme ka vënë dhjetëra miliona amerikanë në gatishmëri, duke premtuar reshjet më të dendura të dëborës dhe temperaturat më të ulëta të dekadës së fundit.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) njoftoi se stuhia, që ka filluar në qendër të Shteteve të Bashkuara, do të lëvizë drejt lindjes në ditët e ardhshme, duke sjellë kushte ekstreme në disa shtete.

Kentaki dhe Virxhinia kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa shtete si Misisipi dhe Florida, të cilat rrallë përballen me të ftohtin ekstrem, janë paralajmëruar për kushte të rrezikshme. Sipas parashikimeve, stuhia është shkaktuar nga vorteksi polar, një masë ajri e ftohtë që qarkullon rreth Arktikut.

“Për disa, kjo mund të jetë reshja më e rëndë e dëborës në më shumë se një dekadë,” raportoi Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike. Meteorologu Dan DePodwin nga AccuWeather shtoi: “Kjo mund të rezultojë në janarin më të ftohtë që nga viti 2011.” Temperaturat jashtëzakonisht të ulëta pritet të zgjasin për një javë, përfshirë edhe bregdetin lindor, ku stuhia do të arrijë deri të dielën në mbrëmje.

Në qendër të SHBA-së, situata pritet të sjellë “ndërprerje të konsiderueshme të jetës së përditshme,” si dhe “kushte të rrezikshme ose të pamundura për të lëvizur me makinë.” Disa zona në Kansas dhe Indiana pritet të përballen me të paktën 20 cm dëborë.

Në rajonet e Mesperëndimit, janë të mundshme furtuna dëbore që krijojnë kushte të rrezikshme udhëtimi. “Pamundësia për të parë rrugën dhe rrugët e bllokuara paraqesin një rrezik të lartë për udhëtarët,” paralajmëroi NWS. Ndërkohë, Misuiri, Illinoisi, Kentaki dhe Virxhinia Perëndimore mund të përjetojnë shi të akullt dhe ngrica të rënda.

Ndërsa stuhia zhvendoset drejt lindjes, miliona amerikanë të tjerë pritet të përballen me temperatura rekord të ulëta. Uashington DC, Baltimora dhe Filadelfia po përgatiten për reshje dëbore dhe ngrica që priten nga e diela deri të hënën, me sasi dëbore që mund të arrijnë deri në 30 cm në disa pjesë të Virxhinias.

Rajonet jugore, përfshirë Arkansasin, Luizianën dhe Misisipin, gjithashtu mund të përjetojnë stuhi të fuqishme të dielën. Meteorologu privat, Ryan Maue, tha: “Kjo situatë pritet të jetë një kaos, një katastrofë e mundshme që nuk e kemi parë prej kohësh.”

Linjat ajrore si American, Delta, Southwest dhe United kanë njoftuar se do të heqin tarifat për ndryshimet e fluturimeve, për shkak të ndërprerjeve të mundshme në transport.

Kjo stuhi po vendos një test të vështirë për shumë rajone të SHBA-së, të cilat do të duhet të përballen me pasoja të rënda në ditët e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera