Shteti borxh për çështjet e humbura, ja sa shtohen detyrimet këtë vit.

Deri në shtator 2024, Ministria e Financave ka llogaritur një detyrim prej rreth 181 milionë euro ndaj arbitrazheve ndërkombëtare, një shumë e cila ka pësuar një rritje prej 5% krahasuar me vitin e kaluar.

Rritja e këtyre detyrimeve vjen nga çështjet e reja të humbura dhe kostot e përfaqësimit ligjor të shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare.

Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë paraqitur në detaje vendimet e dëmshpërblimit nga gjykatat e Arbitrazhit, detyrimet faktike dhe ato kontingjente, si dhe kostot për përfaqësimin ligjor. Këto vendime për dëmshpërblim përfshijnë detyrime të mëdha, të cilat Shqipëria duhet t’i shlyejë brenda periudhave të përcaktuara.

Një nga çështjet që ka sjellë detyrime të reja është ajo me kompaninë italiane “Construzioni Dondi”. Padia e depozituar në vitin 2018 ka rezultuar në një faturë totale prej 13,4 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe kostot administrative dhe ligjore të përfaqësimit, të cilat arrijnë deri në 189 mijë euro, nga të cilat 90% janë shlyer deri tani.

Një tjetër rast që ka krijuar detyrime është ai me kompaninë gjermane “EMS Shipping & Trading GmbH”. Në gusht të këtij viti, kompania ndërpreu gjyqin e Arbitrazhit për kontratën e koncesionit në Portin e Durrësit, ku kërkonte 40 milionë euro dëmshpërblim. Megjithëse çështja u ndërpre, shteti shqiptar duhet të paguajë rreth 1,8 milionë euro për kostot ligjore dhe administrative të procesit.

Për kontratën koncesionare në portin e Durrësit me kompaninë “Durrës Kurum Shipping”, shteti shqiptar fitoi çështjen në gusht 2024. Megjithatë, shpenzimet ligjore të kësaj çështjeje janë në vlerën 1,1 milionë euro, dhe ende mbeten 200 mijë euro të pashlyera. Kjo çështje filloi katër vite më parë, kur kompania kërkoi një dëmshpërblim prej 100 milionë euro.

Rreth 60% e faturës totale të pashlyer të Arbitrazhit lidhet me çështjen “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, që përfshin sipërmarrësin italian Francesco Becchetti. Detyrimi për këtë çështje arrin në 108 milionë euro, duke e bërë atë detyrimin më të madh ndër pesë çështjet e humbura në Arbitrazh. Përfaqësimi i Shqipërisë në këtë rast ka pasur gjithashtu një kosto prej 1,5 milionë euro.

Një tjetër faturë e konsiderueshme është ajo prej 42,4 milionë euro për çështjen “Copri Actors” me kompaninë greke, e cila fitoi çështjen për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Ky konflikt mbi ndërtimin e infrastrukturës ka rënduar detyrimet e Shqipërisë me një shumë të konsiderueshme për shlyerje.

Në listën e detyrimeve të arbitrazhit ndodhet edhe një faturë prej 12 milionë euro për çështjen me kompaninë “GBC Oil LTD”. Humbja e kësaj çështjeje ka shtuar barrën financiare të Shqipërisë, duke sjellë një përgjegjësi tjetër për shlyerje në periudhat e ardhshme.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera