Shqiptarët largohen nga vendi për të ardhme më të sigurt jashtë

Pagat e ulëta, çmimet e larta dhe mungesa e perspektivës po nxisin një shpërngulje masive drejt vendeve të OECD-së, duke boshatisur qytetet dhe fshatrat shqiptare me ritme të frikshme.

Shqipëria kryeson listën e vendeve me përqindjen më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë gjatë vitit 2023. Të dhënat e fundit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregojnë se për çdo 1000 banorë shqiptarë, rreth 22.1 jetonin në një nga 38 shtetet anëtare të OECD. Ky raport është shumë më i lartë se ai i Rumanisë, Bullgarisë apo Kubës, të cilat renditen pas nesh, raporton revista Monitor.

Kjo do të thotë se praktikisht një në katër shqiptarë ka zgjedhur të ndërtojë jetën jashtë kufijve të vendit. Përmasat e kësaj lëvizjeje flasin për një transformim të thellë demografik që ka prekur Shqipërinë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Ndryshe nga vendet në luftë ose me kriza humanitare, Shqipëria po përjeton një emigracion të bazuar kryesisht në arsye ekonomike e sociale. Pagat e ulëta në raport me kostot e jetesës dhe vështirësitë për të siguruar një punë të qëndrueshme janë ndër shkaqet kryesore që shtyjnë qytetarët të largohen.

Krahasimi me vendet e Bashkimit Europian tregon një boshatisje në rritje të popullsisë aktive në vend. Mungesa e fuqisë punëtore tashmë po ndjehet në sektorë kyç, ndërsa plakja demografike po vjen me ritme të shpejta, duke rritur presionin mbi sistemet sociale dhe ekonomike.

Vendet fqinje kanë arritur ta ngadalësojnë emigracionin përmes rritjes së pagave dhe politikave të reja sociale. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të humbasë qytetarët e saj drejt Italisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Paga mesatare në Shqipëri mbetet dukshëm më e ulët se paga bazë në vendet ku shqiptarët po emigrojnë. Rritja ekonomike e regjistruar në shifra makro nuk është reflektuar te cilësia e jetesës së familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm, sidomos çmimet e ushqimeve dhe qiratë, duke krijuar një presion të vazhdueshëm mbi buxhetet familjare. Kjo situatë ka bërë që shumë profesionistë të rinj ta shohin emigrimin si zgjidhjen më të mundshme për stabilitet dhe dinjitet financiar.

Një tjetër arsye e fortë e shpërnguljes masive është mungesa e besimit në institucionet vendase. Perceptimi i korrupsionit, mungesa e meritokracisë dhe pasiguria politike kanë dëmtuar besimin e qytetarëve te e ardhmja e vendit.

Të rinjtë veçanërisht ndihen të përjashtuar nga mundësitë reale të përparimit. Shumë prej tyre e shohin sistemin si të mbyllur dhe të kontrolluar nga rrjete klienteliste, duke mos u ofruar hapësirë për zhvillim profesional apo krijim biznesi.

Emigracioni i hershëm po prodhon efekt zinxhir. Shumë familje tashmë kanë anëtarë jashtë vendit dhe procesi i bashkimit familjar po përshpejton largimin e brezave të rinj. Kjo po normalizon shpërnguljen si model jetese.

Situata po prek edhe familjet e arsimuara, të cilat largohen për t’ju ofruar fëmijëve shkolla më cilësore dhe sisteme shëndetësore më funksionale. Ky fenomen po e dobëson më tej kapitalin intelektual të Shqipërisë.

Nëse ritmet aktuale vazhdojnë, vendi rrezikon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në moshë pune, duke e bërë edhe më të vështirë forcimin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë.

Në këtë pikë, emigracioni nuk është më vetëm një zgjedhje individuale, por një sinjal alarmi për gjendjen sociale, ekonomike dhe institucionale të vendit. Shqipëria po rrezikon të boshatiset jo nga dëshira, por nga domosdoshmëria.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033