Shqipëria mirëpret Javën Kulturore Meksikane.

Për herë të parë, Shqipëria do të mirëpresë Javën Kulturore Meksikane, një festë unike që bashkon artin dhe traditën e Meksikës në zemër të Tiranës.

Nga 13 deri më 16 nëntor, do të kemi mundësi të përjetojmë një program të larmishëm eventesh kulturore. Kjo javë shërben gjithashtu si një përkujtim i rëndësishëm, pasi shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Meksikës.

Gjatë këtyre ditëve, të apasionuarit pas kinematografisë do të mund të ndjekin filma dhe dokumentarë meksikanë, të cilët përshkruajnë histori prekëse dhe pasqyrojnë shpirtin e popullit meksikan. Për më shumë, do të ketë mundësi për të marrë pjesë në një bisedë interesante me Ambasadorin e Meksikës dhe për të parë inaugurimin e një skulpture të veçantë, Alebrije “Fëmija Monarka”, që reflekton artin tradicional meksikan.

Një element i veçantë i Javës Kulturore do të jetë eksplorimi i gastronomisë meksikane. Vizitorët do të kenë shansin të shijojnë pjata të ndryshme tradicionale dhe tequila, duke përjetuar shijet autentike të Meksikës. Degustimi i ushqimeve do të jetë një udhëtim i paharrueshëm në kulturën dhe kuzhinën e këtij vendi të larmishëm.

Gjithashtu, më 13 nëntor, në ambientet e COD në Kryeministri, do të zhvillohet një aktivitet mbi diplomacinë dhe kulturën ku do të marrë pjesë Ambasadori i Meksikës në Itali, Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda. Në këtë aktivitet do të diskutohet për ndërtimin e lidhjeve më të ngushta përmes kulturës dhe diplomacisë.

Më 14 nëntor, në Akademinë e Filmit Marubi, regjisori i njohur Jesus Garcés Lambert do të mbajë një masterclass me temë “Midis fiksionit dhe dokumentarit, gjej zërin tënd”. Ky masterclass do të jetë një mundësi e shkëlqyer për regjisorët e rinj dhe të gjithë dashamirësit e kinemasë për të mësuar nga një prej figurave më me ndikim në botën e kinematografisë.

Në mbrëmje, më 14 nëntor, ora 19:00, në Marubi do të shfaqet dokumentari “Caravaggio: Shpirti dhe gjaku”, me praninë e regjisorit Lambert. Ky dokumentar është një udhëtim emocionues në jetën e piktorit të madh Caravaggio dhe ofron një perspektivë të rrallë përmes dokumenteve origjinale mbi jetën dhe veprat e tij.

Kuzhina

Ata që janë të apasionuar pas kuzhinës dhe pijeve të ndryshme, më 14 nëntor, ora 20:00, në Destil Creative Hub në Tiranë do të ketë një event degustimi të pjatave të veçanta meksikane, përfshirë tamales, tacos dhe chile relleno, të shoqëruara nga tequila tradicionale.

Java Kulturore Meksikane do të mbyllet në mënyrë të veçantë më 16 nëntor me një koncert në Katedralen Ortodokse në Tiranë, ku artisti i njohur Israel Varela do të performojë pjesë nga albumi i tij i 10-të “Frida en Silencio”, një dedikim për artisten e madhe Frida Kahlo.

Kompozimet e Varela-s sjellin një përzierje unike të jazz-it, flamencos dhe ritmeve të pasura muzikore që pasqyrojnë pasionin dhe thellësinë e kulturës meksikane. Ky koncert do të jetë një moment i veçantë për të mbyllur një javë të mbushur me eksperienca të mrekullueshme kulturore dhe për të forcuar më tej lidhjet mes dy vendeve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera