Për herë të dytë në histori, Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët, e cila do të mbahet më 20 dhjetor në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.
Lajmi është konfirmuar nga burime për TV Apollon, ndërsa takimi pritet të bashkojë 130 deputetë nga të dyja vendet.
Në këtë mbledhje, do të marrin pjesë 70 deputetë nga Kosova dhe 60 deputetë nga Shqipëria. Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar praninë e tij, ndërsa pritet që edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, t’i bashkohet seancës. Takimi është planifikuar të nisë në orën 11:00.
Në një komunikim zyrtar, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar krerët e grupeve parlamentare për mbledhjen e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e këtij eventi për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. “Në datën 20 dhjetor, ora 11:00, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Më pas, do t’ju informojmë për agjendën dhe detajet,” thuhet në mesazhin e shpërndarë.
Ky është takimi i dytë historik mes parlamenteve të dy vendeve. Mbledhja e parë e përbashkët u zhvillua më 27 nëntor 2022 në Tiranë, duke shënuar një moment të rëndësishëm bashkëpunimi në kuadër të përpjekjeve për koordinimin e çështjeve të përbashkëta.
Mbledhja e përbashkët e radhës pritet të fokusohet në thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe diskutimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme. Zyrtarët e dy vendeve e kanë vlerësuar këtë forum si një mundësi për të forcuar lidhjet strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës.