Shoqata e të Verbërve: Protestë për Mungesën e Shërbimeve dhe Diskriminimin e Personave me Aftësi të Kufizuara në Shqipëri

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për situatën e personave me aftësi të kufizuara, duke i dërguar një letër kryeministrit dhe ambasadave të huaja në Shqipëri. Ata theksojnë se janë të braktisur dhe përgjegjësitë janë kaluar tek pushteti lokal dhe organizatat jofitimprurëse.

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka dërguar një letër të hapur drejt kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe ambasadave të huaja, duke kërkuar vëmendje për një situatë që ata e quajnë të papranueshme. Shoqata shpreh indinjatën për mungesën e shërbimeve të specializuara për të verbërit, duke pohuar se shteti shqiptar ka kaluar përgjegjësitë për këto shërbime tek organizatat jofitimprurëse dhe pushteti vendor, pa ofruar mbështetje të duhur.

Në letrën drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shoqata e të Verbërve thekson se kjo situatë nuk është vetëm një diskriminim i hapur, por një manipulim për të krijuar një skemë klienteliste që ka shndërruar shërbimet për të verbërit në një mjet biznesi për disa grupe të interesit. Ata akuzojnë qeverinë se ka eliminuar çdo shërbim të posaçëm dhe ka lënë personat me aftësi të kufizuara pa mbështetje.

Në letrën e Shoqatës, kërkohet një rishikim i menjëhershëm i politikave të qeverisë dhe rikthimi i financimit të drejtpërdrejtë për shërbimet për të verbërit.

Në letër, Shoqata e të Verbërve e konsideron mungesën e mbështetjes shtetërore si një shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe ligjeve që garantojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara. Ajo kërkon që shteti të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të sigurojë mbështetje financiare për shërbimet e specializuara që janë thelbësore për personat e verbër në Shqipëri. Ligji nr. 93/2014 dhe akte të tjera ligjore parashikojnë që shteti të ofrojë shërbime të veçanta, por kjo nuk po ndodh.

Shoqata pohon se Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve (QKRV) është një institucion kombëtar që nuk mund të financohet përmes mekanizmave vendorë, pasi këta të fundit varen nga vullneti i pushtetit lokal dhe nuk ofrojnë një strategji unifikuar shtetërore. Fondi Social, sipas Shoqatës, nuk siguron financim të qëndrueshëm dhe ka krijuar një situatë të pasigurisë dhe dështimeve sistematike për të verbërit.

Shoqata e të Verbërve ka kërkuar një ndryshim të politikave dhe zbatimin e ligjit që garanton shërbime për këtë kategori të qytetarëve.

Shoqata thekson se është e nevojshme që shërbimet për të verbërit të financohen drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit, siç parashikohet nga ligjet dhe aktet nënligjore. Ata kërkojnë që shteti të respektojë detyrimet e tij ligjore dhe të ofrojë mbështetje reale për personat me aftësi të kufizuara. Nëse kjo kërkesë nuk plotësohet, Shoqata ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime të tjera, përfshirë protesta dhe denoncime publike.

Shoqata e të Verbërve apelon për një veprim të menjëhershëm nga shteti, duke kërkuar që të rikthehen shërbimet dhe mbështetja financiare për të verbërit.

Ky është një apel i fundit nga Shoqata e të Verbërve për një ndryshim të menjëhershëm të politikave dhe për një mbështetje reale për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Ata kërkojnë që të mos injorohen më tej dhe të sigurohet një mbështetje e qëndrueshme dhe ligjore për këtë kategori të rëndësishme të qytetarëve shqiptarë.

Letra e plotë

LETËR E HAPUR

DREJTUAR:Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu

: Zëvendësministres znj. Denada Seferi

Hartuar nga Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë dhe miratuar unanimisht.

E nderuar znj. Ministre,

Me këtë letër, Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për braktisjen totale të shtetit ndaj personave të verbër në Shqipëri. Politikat tuaja kanë çuar në një diskriminim sistematik, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe detyrimet ligjore të qeverisë për të garantuar shërbimet e posaçme që janë jetike për të verbërit.

Për vite me radhë, qeveria ka eliminuar çdo shërbim të posaçëm për të verbërit, ka mohuar të drejtat e garantuara me ligj dhe ka lënë pa financim shërbimet që më parë ishin funksionale. Të verbërit në Shqipëri nuk përfitojnë asnjë shërbim specifik që u garanton një jetë të pavarur dhe të dinjitetshme.

Kushtetuta ka përcaktuar qartë se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe se shteti ka detyrimin të sigurojë mbështetje të drejtpërdrejtë për kategoritë më të cenueshme. Ligji nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” e përforcon këtë detyrim, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë e shtetit për të garantuar shërbime të specializuara për personat me aftësi të kufizuara, përfshirë të verbërit.

Në nenin 5, pika 2, thuhet: “Politikat shtetërore mbështetin personat me aftësi të kufizuara që të kenë akses në të gjitha sferat e jetës.”

Në nenin 11 të të njëjtit ligj thuhet: “Nevojat për asistencë dhe mbështetje mbulohen nga Buxheti i Shtetit, dhe fondet planifikohen nga ministria përgjegjëse në koordinim me ministritë e linjës.”

Në vend që të zbatoni këtë detyrim ligjor, ju keni zgjedhur të zhdukni çdo formë mbështetjeje shtetërore dhe t’i hidhni përgjegjësitë tek pushteti vendor dhe organizata të ndryshme jofitimprurëse. Kjo është një manipulim dhe një shmangie e qëllimshme nga përgjegjësia qeveritare.

E nderuar znj. Ministre,

Ajo që po ndodh nuk është thjesht një mungesë vëmendjeje është një diskriminim institucional dhe një akt i pastër neglizhence ndaj një kategorie qytetarësh që kanë nevojë për mbështetje reale.

Shteti shqiptar ka transferuar përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve tek bashkitë, duke justifikuar mungesën e veprimit me faktin se fondet për shërbimet e posaçme do të menaxhohen nga Fondi Social. Ky është një mashtrim politik dhe një skemë burokratike që nuk bën gjë tjetër veçse largon shtetin nga përgjegjësitë e tij kushtetuese.

Nëpërmjet Ligjit nr. 93/2014, Ligjit nr. 121/2016 dhe akteve të tjera nënligjore, qeveria juaj ka kapur plotësisht sistemin e shërbimeve sociale, duke krijuar një monopol të organizatave të caktuara për personat me aftësi të kufizuara. Në pikat 7 dhe 8 të nenit 3 të ligjit 93/2014 është përcaktuar se shërbimet për personat me aftësi të kufizuara do të ofrohen nga Organizatat për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Nëse analizojmë plotësisht Ligjin nr. 93/2014, Ligjin nr. 121/2016 dhe aktet e tjera nënligjore, është krijuar një bazë ligjore e konsoliduar, sipas së cilës OJQ-të për personat me aftësi të kufizuara kanë hapësirën e plotë për të qenë aktorë përcaktues në ofrimin dhe financimin e shërbimeve. të cilat kanë përfituar financime të vazhdueshme, ndërsa ne, si përfaqësues të ligjshëm të të verbërve, jemi përjashtuar plotësisht nga vendimmarrja dhe financimi.

Ky nuk është vetëm një diskriminim i hapur, por edhe një skemë klienteliste, që i ka kthyer shërbimet për personat me aftësi të kufizuara në një mjet biznesi për disa grupe të interesit.

Kjo qasje ka shkaktuar kolaps total të shërbimeve për të verbërit. Në asnjë qark të vendit nuk ofrohet asnjë shërbim i specializuar për të verbërit, ndonëse ligjet i parashikojnë ato qartë.

Pse Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve (QKRV) nuk mund të ofrojë shërbimet përmes Fondit Social?

1. QKRV është institucion kombëtar dhe nuk mund të financohet përmes mekanizmave vendorë, të cilët varen nga vullneti i pushtetit lokal dhe jo nga një strategji e unifikuar shtetërore.

2. Fondi Social nuk garanton financim të qëndrueshëm, por është një mekanizëm konkurues që krijon pasiguri dhe dështime sistematike. Shërbimet e posaçme nuk mund të mbahen në këmbë nga financime sporadike dhe me procedura të tejzgjatura burokratike.

3. Njësitë vendore nuk kanë kapacitetet, burimet njerëzore dhe ekspertizën për të ofruar shërbimet e specializuara për të verbërit. Delegimi i këtyre shërbimeve tek bashkitë është një veprim i qëllimshëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë shtetërore.

4. Çdo qark nuk mund të marrë shërbimet te QKRV, sepse nuk ka asnjë strukturë financimi të dedikuar për këtë institucion, duke e lënë atë jashtë funksionit dhe të paaftë për të kryer detyrën e tij.

E nderuar znj. Ministre,

Në këtë situatë këshilli kombëtar i SHVSH kërkon që ju të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të kthyer shërbimet e posaçme në financim të drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit.

Duhet të respektohet kuadri ligjor që përfshin:

• Ligjin nr. 8098, datë 28.3.1996 o“Për Statusin e të Verbërit”

• Vendimin nr. 277 të Këshillit të Ministrave, datë 18.06.1997

• Vendimin nr. 643 për financimin e shërbimeve të posaçme për të verbërit, datë 30.09.2004

• Udhëzimin nr. 10, datë 16.05.2005, të Ministrit të Financave për procedurat e pagesave për shërbimet e posaçme

Nëse ministria juaj nuk reflekton dhe nuk rikthen financimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve për të verbërit, ne do të jemi të detyruar të ndjekim të gjitha format e rezistencës civile, përfshirë protestat, denoncimet publike dhe paditë ligjore kundër institucioneve përgjegjëse.

Nuk mund të pranojmë më zvarritje, manipulime dhe justifikime boshe. Të verbërit e Shqipërisë nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk do të lejojmë që shteti të na injorojë më tej.

Ky është apeli ynë i fundit për reflektim dhe veprim të menjëhershëm.

Me respekt,

Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë

Ndaj Postimin: