Kokaina shitej deri në 200 euro për gram… Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar ditën e sotme në ishullin e Mykonosit nga autoritetet greke. Mësohet se në pranga kanë rënë pesë persona dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike.
Aksioni është ndërmarrë në kuadër të hetimeve për goditjen e rrjeteve që veprojnë në trafikun dhe shpërndarjen e drogës në një nga destinacionet më të njohura turistike të Greqisë.
Mësohet se drejtuesi i grupit kriminal është një shtetas shqiptar, i njohur më herët për autoritetet greke. Sipas të njëjtave burime, ai përdorte një furgon për transportimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të ishullit.
Gjatë operacionit, policia greke zbuloi edhe një banesë që dyshohet se përdorej si “strehë” për ruajtjen dhe magazinimin e drogës. Në këtë objekt, që sipas mediave i përkiste drejtuesit të rrjetit, u sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine, “kokaine rozë” (tusi), ketamine, metamfetamine, tableta ekstazie dhe kanabis i papërpunuar.