Reshjet e forta të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje toke dhe dëme materiale në bashkinë Selenicë, në Qarkun e Vlorës, ku dy banesa janë shembur si pasojë e shkarjes së dherave. Sipas autoriteteve, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Situata më problematike është shënuar në aksin rrugor Kotë–Sevaster, pranë fshatit Vajzë, ku prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, së bashku me kryetarin e bashkisë Selenicë, inspektuan nga afër dëmet dhe kushtet në terren. Banorët e prekur janë larguar nga banesat e tyre dhe janë strehuar përkohësisht pranë të afërmve.
Gjatë inspektimit, prefektja Allushi u shpreh se strukturat vendore dhe institucionale janë vënë në shërbim të plotë të qytetarëve të prekur. “Banorët ishin të shqetësuar për situatën që po kalonin, ndërkohë që ishin larguar për t’u strehuar në shtëpitë e të afërmve të tyre. Iu bashkova shqetësimit të banorëve dhe kërkova nga bashkia dhe strukturat përkatëse që të jenë në shërbim të pandërprerë për çdo kërkesë të tyre, duke i siguruar për mbështetjen e prefekturës”, deklaroi ajo.
Më herët, prefektja e Qarkut Vlorë, në koordinim me kryetarin e njësisë administrative Novoselë, zhvilloi takime edhe me kryetarët e fshatrave të zonës, ku u diskutua mbi situatën e krijuar dhe masat parandaluese. “Informuam për situatën dhe u kërkuam që të lajmërohen banorët për rrezikun e daljes nga shtrati të lumit. Prefektura është në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar në kohë reale strukturat, me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të problematikave që mund të krijohen”, theksoi Allushi.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht situata e reshjeve në Qarkun e Vlorës paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Monitorimi i zonave problematike vijon, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.