Fermerët e Divjakës vijojnë të mbeten ndër prodhuesit më të mëdhenj të shalqirit në vend. Tashmë, prodhimi i këtij sezoni ka dalë në treg prej disa javësh, ndërsa krahas shalqirit, fermerët kultivojnë edhe patate, speca dhe një sërë produktesh të tjera bujqësore.
Kamera e TV Apollon solli pamje nga pika e grumbullimit “Romiri”, e cila prej vitesh është një nga qendrat kryesore të grumbullimit dhe tregtimit të prodhimeve bujqësore të zonës. Nga kjo pikë, produktet e fermerëve të Divjakës eksportohen drejt Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Aktualisht, çmimi i shalqirit në pikën e grumbullimit varion nga 50 deri në 60 lekë të reja për kilogram. Çdo ditë, fermerët mbërrijnë me mjetet e tyre të transportit në pikat e grumbullimit, me synimin për të siguruar treg dhe një çmim sa më të favorshëm për prodhimin e tyre.
Sipas fermerëve, kërkesa për shalqirin e Divjakës mbetet e lartë falë cilësisë, shijes dhe kushteve të favorshme klimaterike të zonës. Ata shprehen se puna në bujqësi kërkon përkushtim të madh, por mbeten optimistë për ecurinë e sezonit. Eksportet drejt vendeve të rajonit po krijojnë mundësi më të mira tregtimi, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë e familjeve fermere.
Tokat pjellore dhe puna e palodhur e fermerëve të Divjakës vazhdojnë ta mbajnë këtë zonë ndër qendrat më të rëndësishme të prodhimit bujqësor në vend, me produkte që po gjejnë gjithnjë e më shumë tregje jashtë kufijve të Shqipërisë.