Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë godet Kubën, lëkundjet ndihen deri në Florida.

Një tërmet me magnitudë 6.2 goditi të martën brigjet veriperëndimore të Kubës, njoftoi Qendra Kombëtare për Kërkime Sizmologjike e vendit (CENAIS). Sipas të dhënave zyrtare, epiqendra e tërmetit u lokalizua rreth 100 kilometra në veriperëndim të qytetit Mantua, ndërsa thellësia fokale u vlerësua në 20 kilometra.

Mediat ndërkombëtare raportuan se lëkundjet sizmike zgjatën për disa sekonda dhe u ndjenë në një zonë të gjerë, duke shkaktuar panik te banorët. Shumë qytetarë dolën nga shtëpitë dhe ndërtesat menjëherë pas nisjes së lëkundjeve. “Në fillim mendova se po më merrej mendja. Nuk e kuptova menjëherë se ishte tërmet, pasi nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë. Sapo kuptuam çfarë po ndodhte, dolëm menjëherë jashtë”, tha Carmen Delgado, një ekonomiste 47-vjeçare nga Havana.

Tërmeti u ndje edhe në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, përfshirë shtetin e Floridës. Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe Qendra Gjermane e Kërkimeve të Gjeoshkencave (GFZ) e vlerësuan magnitudën e tërmetit në 6.1. Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo dëme të konsiderueshme materiale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033