Senegali është shpallur kampion i Afrikës për herë të dytë në tre edicionet e fundit, pasi mposhti Marokun me rezultatin 1-0 pas kohës shtesë në finalen e AFCON 2025, të zhvilluar në Rabat.
Finalja u karakterizua nga tension i lartë, raste të shumta dhe vendime të diskutueshme. Koha e rregullt u mbyll pa gola, ndërsa në minutat e fundit Maroku fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it. Brahim Diaz u paraqit nga pika e bardhë, por dështoi të shënojë, duke mbajtur të hapur ndeshjen.
Në kohën shtesë, Senegali tregoi qetësi dhe vendosmëri. Goli i fitores u realizua nga Pape Gueye, i cili shënoi me një goditje të fuqishme, duke heshtur stadiumin dhe tifozët vendas.
Me këtë triumf, Senegali bëhet përfaqësuesja e parë që nga viti 1982 që mposht një vend pritës në finalen e Kupës së Afrikës, duke konfirmuar vazhdimësinë e një periudhe të suksesshme pas titullit të fituar në vitin 2021. Maroku, pavarësisht paraqitjeve pozitive gjatë turneut, vijon të mbetet pa titull kontinental prej më shumë se 50 vitesh.