Ka nisur në orën 11:00 në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Prej më shumë se një ore, seanca për dosjen “Veliaj” po zhvillohet mes debateve të forta, ndërsa kryebashkiaku ka mbajtur fjalën e tij para gjyqtares Etleva Deda.
Seanca zhvillohet një ditë pasi Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë procesit gjyqësor, Erion Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk i ishte garantuar e drejta për një mbrojtje efektive.
Në lidhje me largimin e Valentina Teodoreskut nga mbrojtja, avokatja e caktuar nga shteti deklaroi se nuk kishte pasur kohë ta takonte Veliajn, por theksoi se gëzon të gjitha kompetencat ligjore për ta përfaqësuar atë.
Avokatja sqaroi se kishte qenë e pranishme vetëm për një orë në IEVP Durrës, pasi taksia e kishte pritur për këtë kohë, gjë që, sipas saj, nuk i kishte mundësuar njohjen e plotë me aktet e dosjes. Për këtë arsye, ajo kërkoi shtyrjen e seancës, kërkesë që u rrëzua nga Gjykata e Posaçme.
Gjyqtarja Etleva Deda kaloi në konkluzionet përfundimtare, duke e konsideruar fazën e mbrojtjes të ezauruar. Seanca paraprake për dosjen “Veliaj” vijon ende në Gjykatën e Posaçme.