Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim me strukturat dhe mbështetësit demokratë në Fier, ku ka komentuar zhvillimet e fundit brenda PD-së dhe qëndrimet e saj ndaj Reformës Territoriale, duke adresuar drejtpërdrejt edhe figurat drejtuese të partisë.
Duke iu referuar qëndrimeve të ndryshueshme të PD-së për procesin e Reformës Territoriale, Salianji kritikoi mungesën e qartësisë dhe bëri thirrje që opozita të mos qëndrojë jashtë, por të përfshihet me propozime konkrete që, sipas tij, reflektojnë vullnetin e qytetarëve. “Paradite thuhet një gjë, pasdite një tjetër. Nuk mund të funksionojë kështu. Duhet të shkohet në komision dhe të paraqiten propozime ashtu siç i duan njerëzit”, u shpreh ai.
Salianji theksoi se lëvizja që ai ka ndërmarrë brenda PD-së ka ndikuar drejtpërdrejt në aktivizimin e partisë, duke e nxitur drejt protestave, analizës së brendshme dhe daljes së deputetëve në terren. Sipas tij, kjo ka ardhur pas një periudhe pasiviteti të strukturave drejtuese. “PD ka ndryshuar falë kësaj lëvizjeje. Protestat, analiza dhe angazhimi në terren nuk do të kishin ndodhur nëse partia do të vazhdonte në gjumë”, deklaroi ai.
Duke iu përgjigjur vendimit të Sali Berishës dhe Flamur Nokës për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike, Salianji u shpreh se drejtuesit kanë gabuar në vlerësimet e tyre. Ai theksoi se nuk ka hyrë në politikë për të heshtur dhe se do të vijojë të flasë hapur përballë lidershipit, ashtu siç ka vepruar më herët përballë qeverisë.
Në një tjetër moment të fjalës së tij, Salianji ironizoi edhe udhëzimet e dhëna nga drejtuesit për listat e anëtarësisë, duke i cilësuar si absurde. Sipas tij, tentativa për të përcaktuar nga lart se kush është anëtar i partisë përbën një deformim të rëndë të parimeve demokratike. “Anëtarësia përcakton lidershipin, jo e kundërta. Mungesa e garës së brendshme, përjashtimet imagjinare dhe ndarja e partisë në miq e armiq janë fenomene që nuk duhet t’i përkasin më PD-së. Partia Demokratike nuk është pronë e askujt”, theksoi ai.
Salianji deklaroi gjithashtu se drejtuesit e PD-së, sipas tij, “bunkerizohen” sa herë afrohen zgjedhjet dhe e trajtojnë partinë si mjet për interesa personale, duke u shkëputur nga baza dhe nga votuesit.
Në lidhje me të ardhmen e opozitës, ai u shpreh se bashkimi i saj është një domosdoshmëri dhe se çdo figurë që ka aftësinë ta realizojë këtë duhet të propozohet hapur, madje edhe si kandidat për kryeministër. Sipas Salianjit, ndryshimi i qeverisjes vjen vetëm duke bindur qytetarët përmes votës, por edhe përmes rolit të drejtësisë dhe mbështetjes ndërkombëtare.
Deklaratat e tij në Fier vijnë në një moment tensioni të vazhdueshëm brenda Partisë Demokratike, ku debati për lidershipin, reformat dhe përfaqësimin politik mbetet i hapur dhe i pazgjidhur.