Rusia ka nisur të përdorë bitcoin dhe kriptomonedha të tjera për transaksionet ndërkombëtare, një strategji që synon të zbusë efektet e sanksioneve perëndimore dhe të forcojë pozicionin ekonomik të vendit.
Lëvizja është bërë e mundur pas ndryshimeve ligjore të miratuara së fundmi dhe është konfirmuar nga Ministri i Financave, Anton Siluanov.
“Ne kemi filluar përdorimin e bitcoin, veçanërisht ato të minuara në Rusi, për tregtinë ndërkombëtare. Besojmë se ky mekanizëm duhet të zgjerohet dhe të zhvillohet më tej në vitin e ardhshëm,” deklaroi Siluanov në një intervistë për televizionin shtetëror Rusia 24.
Pasi sanksionet izoluese e kanë ndërlikuar tregtinë me partnerët kyç si Kina dhe Turqia, kriptomonedhat po ofrojnë një zgjidhje alternative për të bypass-uar kufizimet e vendosura nga autoritetet financiare perëndimore. Bankat në këto vende janë treguar të kujdesshme ndaj transaksioneve që lidhen me Rusinë, duke shmangur çdo rrezik për hetime ndërkombëtare.
Në një përpjekje për të forcuar pozitën e saj, Rusia ka legalizuar këtë vit përdorimin e kriptomonedhave në tregtinë e jashtme dhe ka ndërmarrë hapa për formalizimin e aktivitetit të minimit të bitcoin, ku vendi renditet ndër liderët globalë. Ministri Siluanov theksoi se këto transaksione janë tashmë një realitet dhe përfaqësojnë të ardhmen e pagesave ndërkombëtare.
Në fillim të muajit, Presidenti Vladimir Putin kritikoi politikën e SHBA-së për përdorimin e dollarit si mjet presioni politik, duke theksuar se kjo po dobëson rolin e tij si monedhë rezervë globale. Në të njëjtën linjë, Putin përmendi bitcoin si një alternativë të fuqishme që askush nuk mund ta kontrollojë, duke sugjeruar mbështetjen e tij për zgjerimin e përdorimit të kriptomonedhave.
Rusia duket se po ndërton një strategji të re për të anashkaluar izolimin ekonomik të imponuar nga Perëndimi, duke përdorur teknologjinë e decentralizuar si një levë për të forcuar autonominë ekonomike. Me hapjen e tregut për transaksionet dixhitale, Moska sinjalizon një orientim të ri drejt ekonomive të kriptomonedhave, një qasje që mund të transformojë mënyrën se si funksionon tregtia ndërkombëtare në të ardhmen.