Rruga Qukës-Qafë Plloçë, një segment strategjik i Korridorit të 8-të, u inaugurua pas viteve të gjata punimesh, debateve politike dhe kostos prej 260 milionë euro.
Pas më shumë se një dekade pritjeje, rruga Qukës-Qafë Plloçë është hapur zyrtarisht për qarkullim. Projekti, i nisur në vitin 2011 nga qeveria e Sali Berishës, ka kaluar përmes vonesave të shumta, ndërhyrjeve teknike dhe rishikimeve të shumta financiare, derisa u finalizua këtë vit.
Ky aks rrugor, me gjatësi 43 kilometra, është pjesë e Korridorit të 8-të dhe shmang qytetet Përrenjas, Qafë Thanë dhe Pogradec, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Tirana drejt Korçës dhe zonave të tjera të juglindjes. Sipas banorëve, tani distanca përshkohet për rreth dy orë.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryeministri Edi Rama u prit me këngë polifonike, valle tradicionale dhe kulaç nga banorët e zonës. Ai nuk i fshehu emocionet, duke e cilësuar projektin si një ndër më të vështirët për shkak të nisjes me “17 metra disnivel” dhe mungesës së planit teknik fillestar.
“Kur e morëm në dorë, ishte një projekt pa projekt, i nisur mbrapsht. Është projekti më i gjatë dhe më i stërmundimshëm që kemi realizuar. Sot, kjo është një fitore e madhe për njerëzit e zonës dhe një çlirim për ta”, deklaroi Rama.
Segmenti përfshin dy tunele me gjatësi totale 1.1 kilometra, katër ura — dy prej tyre të varura — dhe disa kthesa të rregulluara për siguri më të lartë. Zëvendëskryeministrja theksoi se sfida tani është mirëmbajtja, duke garantuar se për sezonin dimëror do të jenë të përgatitur.
Rruga, me një kosto totale prej 260 milionë euro, pritet të sjellë ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe turistik të juglindjes së vendit, duke rritur lidhjet tregtare dhe qarkullimin e vizitorëve në zonë.