Pas festave të fundvitit, vendi po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të infektimit nga gripi i stinës dhe virozat e tjera respiratore.
Sipas të dhënave të raportuara nga Urgjenca Kombëtare, ditët e para të vitit 2026 kanë sjellë shtim të rasteve në popullatë, kryesisht si pasojë e grumbullimeve gjatë festave, udhëtimeve brenda dhe jashtë vendit, si dhe uljes së temperaturave.
Më të prekurit në këtë periudhë rezultojnë fëmijët e grupmoshës 4 deri në 14 vjeç, ndërsa nënvarianti dominues i gripit është AH3N2. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bën me dije se ky nënvariant karakterizohet nga temperaturë e lartë dhe rezistencë e shtuar.
Brataj thekson se situata është e pritshme për këtë periudhë të vitit dhe këshillon prindërit të mos alarmohen dhe të mos dynden në spitale nëse nuk shfaqen shenja serioze apo komplikacione.
Sipas mjekëve, intensiteti i qarkullimit të gripit rritet zakonisht gjatë muajve të ftohtë, ndërsa kulmi i infektimeve pritet në fund të janarit dhe fillim të shkurtit. Krahas AH3N2 dhe AH1N1, në qarkullim vijojnë të jenë edhe virusi respirator sincicial, Covid-19 dhe viroza të tjera sezonale.