Rritja deri në 30% e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm për automjetet ka krijuar përplasje dhe shqetësime mes drejtuesve të mjeteve, veçanërisht te të rinjtë në moshë.
Ky ndryshim ndërlidhet me nisjen e aplikimit të një sistemi të ri për përcaktimin e primeve, bazuar mbi faktorë specifikë risku.
Sipas vlerësimeve të bazuara në aplikacionet e kompanive të sigurimeve, tarifat janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Për shembull, sigurimi vjetor për një automjet të vitit 2007, me motor 2500 cc dhe me drejtues mbi 21 vjeç, kushton tani rreth 21,700 lekë, një rritje prej afër 15%. Ndërsa për drejtuesit nën 21 vjeç, tarifa arrin në pothuajse 25 mijë lekë, me një rritje prej 32%.
Situata është edhe më e ngarkuar për automjetet e biznesit, ku koeficienti bazë i rritjes arrin 20%, duke reflektuar rrezikun më të lartë të përdorimit nga drejtues të ndryshëm. Kjo bën që kostot e sigurimit për bizneset të rriten mbi 30% krahasuar me vitin e kaluar.
Rregullorja e re që hyri në fuqi në fillim të vitit parashikon faktorë risku të detajuar si: historiku i dëmeve, fuqia motorike e mjetit, mosha dhe eksperienca e drejtuesit, qarku i regjistrimit dhe përdorimi nga individë apo biznese. Megjithatë, sistemi aktual nuk është aq i sofistikuar për të diferencuar eksperiencën e drejtuesit apo vitin e marrjes së lejes së drejtimit.
Një nga risitë që do të ndikojnë tarifat nga viti 2026 është sistemi bonus-malus, por i konceptuar vetëm për penalizimin e drejtuesve që shkaktojnë dëme, pa ofruar ulje të primit për ata që nuk regjistrojnë aksidente. Për momentin, bonusi i vetëm mbetet ruajtja e njëjtë e koeficientit.
Deputeti Erion Braçe e ka quajtur këtë rritje të sigurimit TPL si një abuzim në kurriz të konsumatorëve dhe ka kërkuar në Komisionin e Ekonomisë anulimin e këtyre tarifave. Ligji parashikon që kompanitë e sigurimeve të njoftojnë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të paktën 30 ditë para aplikimit të tarifave të reja, duke dorëzuar edhe bazat teknike të vlerësimit të riskut dhe opinionin aktuarial.
Fitimi nga sigurimi TPL ka shënuar rritje rekord. Të dhënat e AMF për 2023 tregojnë një bilanc pozitiv prej 1.6 miliardë lekë, 130% më shumë se në vitin 2022. Kjo rritje është ndikuar nga përfitimet neto të primeve dhe ulja e shpenzimeve operative.
Shpenzimet për dëme janë rritur me vetëm 3.4%, ndërsa dëmet e paguara neto janë shtuar me 0.9%. Raporti dëme-prime mbeti në nivelin 36.14%, me një ndryshim minimal nga viti i kaluar.
Për vitin 2023, sigurimet motorike përfaqësuan 67% të tregut të sigurimeve jo-jetë, duke ndikuar fuqishëm në rezultatin total të sektorit. Fitimi i përgjithshëm i tregut u rrit me 70%, duke arritur 2.76 miliardë lekë.