Rritja e çmimeve të inputeve bujqësore, si ureja, nitrati dhe nafta, po vë në vështirësi fermerët në të gjithë vendin, pikërisht në një periudhë të rëndësishme për mbjelljet sezonale.
Kostot në rritje po ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e punës në bujqësi. Fermerët shprehen se fitimet po ngushtohen ndjeshëm, ndërsa shpenzimet për prodhim vijojnë të rriten nga dita në ditë, duke shtuar pasigurinë për të ardhmen e tyre ekonomike.
Sipas tyre, çmimet e inputeve bujqësore kanë pësuar një rritje me rreth 25%, çka e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostove dhe vijimin normal të aktivitetit bujqësor.
Specialistët e bujqësisë paralajmërojnë se kjo situatë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin vendas. Shumë fermerë po detyrohen të reduktojnë sipërfaqet e mbjella ose të kufizojnë përdorimin e plehrave kimike, duke rrezikuar uljen e rendimentit.
Në këto kushte, ata kërkojnë më shumë mbështetje nga institucionet, përmes subvencioneve apo politikave lehtësuese, në mënyrë që të përballojnë kostot dhe të vijojnë aktivitetin.
Nëse kjo situatë vijon, prodhimi vendas pritet të pësojë rënie, duke ndikuar jo vetëm tek fermerët, por edhe tek tregu dhe konsumatorët.