Rriten rastet e të prekurve me kancer në Spitalin Rajonal të Fierit

Rastet e të prekurve nga kanceri në Spitalin Rajonal të Fierit kanë njohur një rritje të ndjeshme gjatë tre-mujorit të parë të vitit 2025.

Sipas mjekes onkologe, Anisa Mone, në këtë periudhë janë regjistruar 120 raste të reja, ku kryesisht preken individë të moshave të treta. Megjithatë, ajo thekson se është vënë re një rritje e numrit të të prekurve edhe tek grupmoshat më të reja.

Mone identifikon disa faktorë kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje të rasteve me sëmundje malinje. Ajo veçon faktorët gjenetikë, jetesën sedentare, kequshqyerjen, duhanpirjen dhe konsumimin e alkoolit te meshkujt. Po ashtu, te femrat, lindjet në moshë të madhe dhe mosushqyerja me gji janë shkaktarë të mundshëm për rritjen e rasteve të kancerit.

Një tjetër shqetësim që mjekja ka ngritur është rritja e numrit të femrave të prekura nga kanceri i gjirit dhe ai kolekteral. Ajo ka bërë thirrje për kontrolla të vazhdueshme të këtyre grupeve, për të kapur sëmundjen në faza të hershme dhe për të rritur shanset e trajtimit të suksesshëm.

Në lidhje me trajtimin e pacientëve, mjekja Mone ka siguruar se në Spitalin Rajonal të Fierit nuk ka mungesë barnash dhe pacientët trajtohen me kimioterapi sipas protokolleve të përcaktuara. Ajo ka shtuar se një pjesë e madhe e pacientëve që janë diagnostikuar në faza të hershme kanë arritur të shërohen plotësisht ose të përmirësohen ndjeshëm pas trajtimit.

Sipas saj, një pjesë e madhe e suksesit të trajtimit është i lidhur me zbulimin e sëmundjes në faza të hershme, dhe kjo ka sjellë përmirësim të dukshëm në shëndetin e pacientëve. Megjithatë, ajo ka apeluar që kontrollet të bëhen të rregullta dhe të shpeshta për të parandaluar diagnoza në stadi të avancuar.

Mjekja Mone ka përfunduar me një thirrje për sensibilizim të komunitetit dhe përkujdesje të shtuar ndaj shëndetit, duke u siguruar që të gjithë të kenë mundësinë e trajtimit të hershëm dhe të suksesshëm të kësaj sëmundjeje të rëndë.

Ndaj Postimin: