Katër persona, mes tyre reperi i njohur Ivan Greko, arrestohen në Greqi për rrëmbimin dhe torturimin e djalit të një biznesmeni athinas, ngjarje që ka sjellë tronditje të fortë në opinionin publik.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 6 majit në rajonin e Hymettus, ku katër persona, përfshirë Ivan Greko, organizuan një rrëmbim të mirëplanifikuar me qëllim zhvatjen e 50 mijë eurove nga djali 24-vjeçar i një biznesmeni të njohur. Tre prej autorëve e sulmuan viktimën pranë një garazhi, e plagosën në gjymtyrë me një objekt të mprehtë dhe, nën kërcënimin e vdekjes, e futën me forcë në makinë.
Gjatë rrugës për në qytetin bregdetar të Saronidës, viktima u dhunua rëndë, duke u goditur me duar, thikë dhe kaçavidë. Autorët i kërkuan 25 mijë euro në para të gatshme dhe një motoçikletë BMW me vlerë të njëjtë. Në Saronida, grupit iu bashkua një bashkëpunëtor tjetër i armatosur, i cili forcoi edhe më tej kërcënimet ndaj të riut.
Dhuna arriti kulmin në një plazh të shkretë, ku autorët tentuan t’i prisnin gishtat viktimës me prerës, por dështuan falë rezistencës së tij. Pas pesë orësh abuzim, të rrëmbyerit iu kërkua të kontaktonte miqtë për të mbledhur shumën e kërkuar. Ndërkohë, autorët u nisën drejt Glyfada-s për të marrë paratë, por 24-vjeçari përfitoi nga momenti dhe njoftoi një mik, duke çuar në ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.
Në mbrëmjen e 22 majit, forcat e rendit arrestuan të gjithë anëtarët e bandës, përfshirë Ivan Greko-n, të cilët u dërguan menjëherë në komisariat. Të katër të arrestuarit kanë pasur probleme të mëparshme me drejtësinë dhe dyshohen për lidhje me grupe të tjera zhvatjeje në zonën e Vari-t. Ivan Greko rezulton i dënuar për kërcënime, shkelje të kodit penal ushtarak dhe një sërë veprash të tjera penale.
Një nga të arrestuarit, 33-vjeçar, ka qenë i përfshirë në vrasje dhe tentativë vrasjeje, arratisje nga burgu dhe grabitje të një makine policie. Të tjerët janë të akuzuar për veprimtari të rrezikshme, përfshirë dëmtime trupore, dhunë ndaj punonjësve, përvetësim dhe arratisje.
Autoritetet po hetojnë mbi metodën e përdorur, të njohur si “rrëmbimi i tigrit”, një formë ku viktima mbahet nën presion të fortë psikologjik dhe dhunë për të përmbushur kërkesat financiare të rrëmbyesve, pa i dhënë mundësi të lajmërojë autoritetet. Ky rast thekson nivelin e lartë të organizimit, dhunës dhe hakmarrjes së grupeve kriminale.
Ndaj të arrestuarve është ngritur padi për 11 vepra të ndryshme penale, duke filluar nga rrëmbimi, vjedhja, organizimi kriminal, dëmtime trupore, falsifikim, mbajtje dhe përdorim i armëve të paligjshme, e deri te dhuna ndaj punonjësve dhe mosbindja. Të pandehurit kanë marrë një afat për të paraqitur mbrojtjen e tyre përpara autoriteteve gjyqësore.