Ministria e Arsimit përcakton përjashtimet kur nxënësit mund të komunikojnë me prindërit gjatë orarit mësimor, vetëm me miratimin e stafit të shkollës
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar një udhëzim të qartë për përdorimin e celularëve nga nxënësit, duke vendosur kufizime strikte dhe duke përcaktuar vetëm raste të veçanta për komunikim. Sipas dokumentit, përdorimi i telefonit është i lejuar vetëm në situata urgjente, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Këto raste përfshijnë nevoja të menjëhershme për të kontaktuar prindërit, por gjithmonë me miratimin e mësuesit kujdestar ose drejtorit të shkollës. Në çdo situatë emergjente të parashikuar në rregullore, drejtoria e shkollës garanton që komunikimi të kryhet pa pengesa.
Vendimi është pjesë e masave të reja për të krijuar një ambient më të qetë në klasë dhe për të përqendruar nxënësit në procesin mësimor. Qëllimi është të reduktohet përdorimi i pakontrolluar i pajisjeve elektronike gjatë orëve të mësimit.
Ky rregull ka hyrë në fuqi me fillimin e vitit të ri shkollor dhe shoqërohet me një regjim disiplinor më të rreptë. Përjashtimet do të bëhen vetëm për situata të arsyetuara dhe të verifikuara nga stafi pedagogjik.
Autoritetet arsimore theksojnë se ky udhëzim synon të forcojë disiplinën, të rrisë rendimentin e mësimit dhe të mbrojë nxënësit nga shpërqendrimet e panevojshme që vijnë nga pajisjet mobile.