Planet për ndërtimin e një resorti luksoz nga familjarët e presidentit amerikan Donald Trump në zonën e Zvërnecit po zhvillohen mes kontestimeve të forta nga banorët vendas, të cilët pretendojnë se po anashkalohen të drejtat e tyre të pronësisë. Projekti shoqërohet gjithashtu me një konflikt të gjatë gjyqësor me biznesmenin Artur Shehu.
Më 21 dhe 22 janar, zona e Zvërnecit buzë lagunës së Nartës u vizitua nga Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, e shoqëruar nga arkitektë dhe biznesmenë. Zona u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa lëvizjet e saj u shoqëruan nga një eskortë automjetesh.
Gjatë qëndrimit, Ivanka Trump vizitoi dy herë manastirin e Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit, ku ndezi qirinj dhe realizoi fotografi. Ajo zhvilloi gjithashtu takime me kryeministrin Edi Rama dhe u filmua gjatë një darke. Një pjesë e madhe e kohës u kalua në plazhin e Porta Novës, ku grupi ngriti çadra.
Ndërkohë, banorët e Zvërnecit ndoqën zhvillimet nga distanca. Kryeplaku i fshatit, Kostaq Konomi, shprehu pakënaqësi për përjashtimin e komunitetit nga çdo kontakt apo informacion, duke theksuar se askush nuk u lejua të afrohej.
Komuniteti prej vitesh ndodhet në konflikt gjyqësor me Artur Shehun për pronësinë e tokave në zonë. Banorët pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të tokës mbi të cilën parashikohet ndërtimi i resortit nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Sipas banorëve, pak ditë para vizitës së Ivanka Trump, Kadastrës së Vlorës iu paraqit një kërkesë nga Artur Shehu për pajisjen me dublikatë certifikate pronësie për një sipërfaqe pylli prej 51,944 metra katrorë, e cila ndodhet në proces gjyqësor. Kërkesa u kundërshtua nga banorët, të cilët iu drejtuan Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke kërkuar refuzimin e saj.
Tokat në fjalë përfshijnë kullota, ullishte dhe toka bujqësore, të përfituara nga banorët sipas ligjit nr. 7501 “Për tokën”. Në vitin 2012, e njëjta tokë iu njoh edhe trashëgimtarëve të familjes Shehu, çka çoi në nisjen e një procesi gjyqësor që vijon prej 14 vitesh.
Përveç konfliktit civil, për tokat në Zvërnec janë hapur edhe disa çështje penale, ndërsa sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, një nga dokumentet e përdorura nga familja Shehu është provuar si i falsifikuar.
Përtej çështjeve të pronësisë, projekti ka ngjallur edhe shqetësime mjedisore. Aktivistët paralajmërojnë për ndikimin mbi lagunën e Nartës dhe zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, duke e cilësuar projektin si rrezik për një nga habitatet më të ndjeshme bregdetare në vend.
Sipas tyre, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura kanë hapur rrugë për ndërtime që më parë ishin të ndaluara, duke krijuar një precedent për urbanizimin e mëtejshëm të bregdetit shqiptar.