Qarku i Kukësit u përball gjatë natës me reshje intensive shiu, duke shkaktuar rrënie gurësh dhe dherash në disa akse rrugore.
Aktualisht, situata paraqitet e qetë, me motin që është stabilizuar dhe rrugët që vazhdojnë të jenë të kalueshme.
Problemet më të mëdha u regjistruan në rrugën Kukës-Qaf Mali-Pukë, veçanërisht në segmentin Kolsh-Qaf Shllak, ku u konstatuan gurë dhe dheu të rrëzuar në rrugë. Autoritetet po punojnë për të siguruar pastrimin e tyre dhe normalizimin e qarkullimit.
Subjekti kontraktor i ngarkuar me mirëmbajtjen e aksit ka angazhuar mjete dhe punonjës për pastrimin e rrugëve të prekura. Sipas burimeve nga Komisioni i Menaxhimit të Krizave, rrugët nacionale janë të kalueshme dhe nuk raportohen pengesa serioze për lëvizjen e automjeteve.
Nga ana e saj, Policia e Shtetit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve. Ata rekomandojnë uljen e shpejtësisë dhe respektimin e sinjalistikës rrugore, për shkak të lagështirës së shtuar që mund të krijojë rrezik rrëshqitjeje.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, situata paraqitet e qëndrueshme në të gjithë qarkun, me përjashtim të fshatit Gabricë në njësinë administrative Bicaj të Bashkisë Kukës dhe disa familjeve në fshatin Berishë të njësisë Bytyç në Bashkinë Tropojë, ku ka pasur probleme të pjesshme me energjinë elektrike.
Nga informacionet e siguruara, furnizimi me ujë të pijshëm mbetet normal, dhe nuk ka raportime për ndonjë ndërprerje serioze në shërbimet publike të tjera.
Institucionet lokale vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarët këshillohen të jenë vigjilentë, sidomos ata që udhëtojnë në zonat me rrëshqitje dherash dhe rrugë të ekspozuara ndaj reshjeve intensive.