Ish-kryeministri Sali Berisha foli për mediat jashtë ambienteve të SPAK, ku denoncoi atë që e cilësoi si një skandal në akuzat ndaj tij.
Sipas Berishës, Prokuroria e Posaçme ka shtuar si element akuzues faktin se fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave, një proces nga i cili, siç theksoi ai, kanë përfituar mbi 1 milion shqiptarë në përputhje me ligjin.
Ai sqaroi se pasuritë e deklaruara nga familjarët e tij janë të kufizuara dhe të evidentuara prej vitesh në deklarimet zyrtare, duke përfshirë një apartament të privatizuar sipas ligjit në fuqi në atë periudhë.
“Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit, siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike. Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike”, tha Berisha.