REFORMA E RE TERRITORIALE, SHQIPËRIA ME 46 BASHKI – JA NDRYSHIMET NË 12 QARQET.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 85 vota reformën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Reforma sjell ndryshime në disa qarqe të vendit, ndërsa 12 qarqet mbeten të pandryshuara si ndarje administrative.

Sipas hartës së re, 15 bashki shkrihen, 32 ruajnë kufijtë aktualë, ndërsa 29 bashki pësojnë ndryshime territoriale.

Një risi është përcaktimi i 77 qyteteve, të cilat parashikohet të kenë përfaqësim në këshillat bashkiakë dhe një nënkryetar të posaçëm.

Në Qarkun Shkodër, Puka bashkohet me Fushë-Arrëzin, ndërsa në Dibër, Klosi i bashkohet Matit. Qarku Kukës mbetet i pandryshuar, ndërsa në Lezhë, tri bashkitë ruajnë kufijtë aktualë.

Në Tiranë, organizimi i ri parashikon katër bashki: Tiranën, Kavajën, Kamzën dhe Vorën. Rrogozhina i bashkohet Kavajës, ndërsa Rinas, Domje dhe Bërxullë përfshihen në organizimin e ri administrativ të Vorës.

Në Elbasan, nga shtatë bashki mbeten katër. Elbasani bashkohet me Cërrikun dhe Belshin, ndërsa Përrenjasi me Librazhdin.

Në Fier, Fieri bashkohet me Patosin, ndërsa Divjaka me Lushnjën. Në Berat, Berati bashkohet me Dimalin dhe Poliçanin, ndërsa në Korçë, kjo e fundit përthith Bashkinë Maliq.

Në Vlorë, Selenica i bashkohet Vlorës, ndërsa në Gjirokastër, Libohova bashkohet me Gjirokastrën, Memaliaj me Tepelenën dhe Përmeti me Këlcyrën.

Reforma synon riorganizimin e pushtetit vendor, me ndikim në administrimin e territorit, ofrimin e shërbimeve publike dhe përfaqësimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033