Rama: Pasaporta europiane, hapi i paharruar për qytetarët, të bashkohemi në 11 maj për integrimin në BE

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot takimin e tij virtual me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve në rrjetet sociale në kuadër të serisë “Sy m’sy”. Gjatë diskutimit, Rama ka theksuar rëndësinë e marrjes së pasaportës europiane, duke e cilësuar atë si një mundësi të madhe për qytetarët shqiptarë në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.

Rama theksoi se pasaporta europiane nuk është vetëm një mundësi për lëvizje të lirë, por një mundësi për të qenë qytetarë të dorës së parë. Ai e krahasoi statusin aktual të shqiptarëve, duke thënë se për momentin ata janë qytetarë të dorës së dytë, pasi edhe pse mund të udhëtojnë, ndodhen shpesh në kushte të papërshtatshme, si kur kontrollohen në aeroporte. Sipas tij, pasaporta europiane do të ndryshojë këtë, duke mundësuar një status të barabartë me qytetarët e vendeve të BE-së.

“Pasaporta europiane do të na ofrojë mundësi për të kërkuar punë dhe për të përfituar nga shërbimet shëndetësore në çdo vend të Bashkimit Europian. Nuk do të kemi më kufij, nuk do të hyjmë më në radhë dhe do të mund të jetojmë dhe punojmë si qytetarë të barabartë,” deklaroi Rama.

Kryeministri kërkoi mbështetje nga qytetarët për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se këto zgjedhje janë të rëndësishme për të finalizuar negociatat për anëtarësimin në BE deri në vitin 2027. Ai apeloi për një mandat të fuqishëm në këto zgjedhje, që të mund të realizohet ky objektiv dhe të çohen përpara reformat që kërkohen nga Bashkimi Europian.

“Po të bashkohemi më 11 maj, mund të mbyllim një kapitull të rëndësishëm të këtij procesi, dhe deri në 2027, Shqipëria mund të arrijë të finalizojë negociatat e saj për anëtarësimin në BE,” shtoi Rama.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë angazhim dhe të mbështesin qeverinë në këtë fazë të rëndësishme, duke theksuar se ky është momenti i duhur për të bërë një hap të madh përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ndaj Postimin: