Rama militarizon Patronazhistët me Modelin e Maduros, Aleanca Konservatore paralajmëron sfidë në Gjykatën Kushtetuese

Aleanca Konservatore për Shqipërinë ka bërë një denoncim të fortë ndaj qeverisë Rama për krijimin e një strukture paramilitare brenda partisë në pushtet, e maskuar si “Polici Vullnetare”.

Sipas Aleancës, kjo strukturë është një kopje e qartë e milicisë së Nicolás Maduros në Venezuelë dhe përbën një rrezik serioz për demokracinë dhe kushtetutshmërinë në Shqipëri. Në një kohë kur publiku shqiptar është ende i tronditur nga farsa e fundit zgjedhore, ky plan përforcon kontrollin e pushtetit me metoda të frikësimit dhe mbikëqyrjes masive.

VKM-ja që rregullon organizimin dhe funksionimin e Policimit Vullnetar nuk ka për qëllim të përmirësojë sigurinë publike, por të militarizojë patronazhistët e Partisë Socialiste. Këta persona do të patrullojnë në lagje, shkolla dhe tregje, me veshje uniforme dhe dokumente identifikimi si policë, megjithëse pa armë. Struktura, në dukje teknike dhe civile, në fakt synon të përdoret për kontroll social, spiunazh politik dhe për të neutralizuar çdo zë opozitar.

Aleanca thekson se Policia Vullnetare e Ramës ka status të dyfishtë ligjor – formalisht janë vullnetarë civilë, por praktikisht janë një forcë paramilitare me kompetenca operacionale dhe mbikëqyrëse. Përzgjedhja e tyre bëhet me kritere të paqarta, duke përfshirë ish-policë të shkarkuar, militantë partie dhe individë me lidhje me grupe kriminale. Ata do të patrullojnë në zona të ndjeshme, duke ushtruar presion psikologjik dhe duke mbledhur informacione për qytetarët, duke krijuar kështu një rrjet spiunazhi të ngjashëm me “komitetet e lagjes” në Venezuelë.

Aleanca paralajmëron se kjo VKM është hapi i fundit drejt konsolidimit të një diktature, ku shteti ligjor zëvendësohet nga shteti-parti. Krijimi i një milicie paralele me uniforma blu do të shkatërrojë pluralizmin politik dhe lirive themelore të qytetarëve. Qeveria Rama po ndërton një sistem paralel besnik ndaj pushtetit, jo ligjit, duke krijuar një forcë që mund të përdoret për intimidim, manipulim zgjedhjesh dhe shtrëngim të komuniteteve.

Për më tepër, Aleanca paralajmëron se financimi i fshehtë i Policisë Vullnetare do të kalojë nëpërmjet fondeve publike të errëta, kompanive të lidhura me pushtetin dhe elementëve të botës kriminale. Kjo është një skemë klienteliste dhe kriminale që përdor patronazhistët për të mbajtur pushtetin në mënyrë të sofistikuar, ndërsa publikohet si një nismë vullnetarizmi.

Në përgjigje të kësaj situate, Aleanca Konservatore për Shqipërinë ka njoftuar se do të padisë vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se:

  • Cënon ndarjen e pushteteve duke i dhënë një strukture joprofesionale kompetenca të rendit publik.
  • Shkel të drejtat dhe liritë e qytetarëve, të cilët do të jenë objekt i mbikëqyrjes dhe kontrollit të patronazhistëve me status policor.
  • Lejon krijimin e një force represive paralele, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe sigurinë kushtetuese.

Aleanca i bën thirrje shoqërisë civile dhe opozitës politike të reagojnë fuqishëm për të ndaluar këtë transformim të Shqipërisë në një regjim autoritar, të ngjashëm me atë të Venezuelës së Maduros. Ata kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-së dhe ndalimin e çdo rekrutimi në këtë forcë paramilitare.

Në përfundim, Aleanca Konservatore thekson se Shqipëria nuk do të bëhet Venezuela dhe nuk do të lejojë që patronazhistët të shndërrohen në një milici politike që patrullon, spiunon dhe frikëson qytetarët në emër të partisë në pushtet. Ata do të përdorin çdo mjet ligjor dhe politik për të mbrojtur kushtetutën, liritë civile dhe shtetin ligjor në vend.

Ndaj Postimin: