Divjaka çel sezonin turistik 2025 me ngjyra dhe tradita të gjalla

Nga: Ndriçim Gjoshi

Divjaka hap zyrtarisht sezonin turistik 2025 me një festë që bashkon kulturën, muzikën dhe ofertat turistike autentike në një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse.

Kjo ngjarje e zhvilluar në sheshin përpara kullës 360 gradë solli një përzierje të pasur aktivitetesh dhe prezantimesh, duke tërhequr dhjetëra vizitorë dhe duke rikthyer vëmendjen te potenciali i madh turistik i zonës.

Në këtë event festiv, drejtori i Zyrës Arsimore të Divjakës, Josif Kruti, vuri në dukje ndryshimet rrënjësore që ka pësuar qyteti gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se “Divjaka po ecën përpara me hapa të sigurt në zhvillimin e turizmit, por ende kemi shumë sfida përpara. Do të vazhdojmë përmirësimin e infrastrukturës dhe pasurimin e ofertës turistike për t’u ofruar pushuesve një ambient gjithnjë më atraktiv dhe komod.”

Atmosfera e ngrohtë dhe festive u pasurua nga interpretimet e artistëve vendas, të cilët sollën këngë dhe valle tradicionale myzeqare, me theks të veçantë tek takia, simboli i zonës. Performancat e tyre krijuan momente të paharrueshme dhe të mbushura me emocion për të gjithë të pranishmit.

Një tjetër pikë kyçe e festës ishte Panairi i Artizanatit dhe Kulinarisë Tradicionale, ku prodhuesit vendas ekspozuan punime artizanale dhe shije autentike nga laguna dhe zona përreth. Vizitorët patën mundësinë të shijojnë produktet lokale, përfshirë verërat artizanale dhe gatimet tipike të kuzhinës bregdetare, duke vlerësuar kështu trashëgiminë kulturore të pasur të Divjakës.

Operatorët turistikë prezantuan ofertat dhe paketat e sezonit të ri, duke synuar jo vetëm turistët vendas, por edhe ata ndërkombëtarë nga rajoni dhe më gjerë. Investimet e fundit në hotele, guida turistike, plazhe të certifikuara dhe aktivitete rekreative e sportive po fuqizojnë Divjakën si një destinacion kyç në hartën e turizmit shqiptar.

Me burime natyrore, historike dhe kulturore të pasura, përfshirë lagunat, kodrat, monumentet natyrore dhe sitet arkeologjike, Divjaka vazhdon të jetë një prej destinacioneve më të preferuara për pushuesit, veçanërisht ata që kërkojnë plazhe të virgjëra dhe natyrë të paprekur brenda Parkut Kombëtar.

Hapja e sezonit turistik 2025 në Divjakë shënon fillimin e një vere të mbushur me pritshmëri për një eksperiencë pushimi të sigurt, të pasur dhe me vlera autentike për të gjithë vizitorët që zgjedhin këtë destinacion unik.

Ndaj Postimin: