Qeveria miraton ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një hap i rëndësishëm për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion financiar që do të luajë një rol kyç në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ky hap ka si qëllim mbështetje për sektorët që shpesh kanë mbetur të nënfinancuar, duke i mundësuar një akses më të lehtë në financa.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, theksoi se ky institucion do të krijohet duke u mbështetur në eksperiencat më të mira të institucioneve të ngjashme të Bashkimit Europian. Kjo do të mundësojë përdorimin e modeleve të suksesshme për të financuar zhvillimin dhe rritjen e sektorëve kyç ekonomikë.

Një nga objektivat kryesore të Bankës Shqiptare të Zhvillimit është mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare. Kjo bankë do të financojë projekte që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve për rritje dhe zhvillim. Ibrahimaj shpjegoi se mbështetja për këtë kategori do të jetë një faktor i rëndësishëm për nxitjen e rritjes ekonomike në nivel lokal dhe kombëtar.

Përveç kësaj, Banka Shqiptare e Zhvillimit ka për qëllim të mbështesë eksportet shqiptare, duke ofruar mundësi financimi për projekte që do të nxisin rritjen e këtij sektori. Kjo do të ndihmojë në forcimin e pozicionit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe do të krijojë mundësi për rritje të eksportit dhe hapjen e tregjeve të reja.

Në një aspekt të rëndësishëm, ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo bankë do të mundësojë gjithashtu rritjen e aksesit në financa për ata qytetarë që aktualisht nuk shërbehen nga sektorin bankar. Përmes produkteve të kursimit dhe mundësive të tjera financiare, kjo bankë do të synojë t’u ofrojë mundësi qytetarëve në zona rurale dhe atyre të pashërbyer nga bankat, duke kontribuar në zhvillimin e përhapur ekonomik.

Draftligji i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është hartuar në bashkëpunim me “Cassa Depositi e Prestiti”, një institucion financiar italian që ka një histori të suksesshme në mbështetje të zhvillimit ekonomik. Ibrahimaj theksoi gjithashtu se ky projekt ka për qëllim të krijojë mundësi bashkëpunimi me institucione financiare ndërkombëtare të BE-së, të cilat disponojnë fonde për vendet anëtare dhe ato në proces anëtarësimi. Kjo bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, si dhe do të lehtësojë hyrjen në tregjet e Bashkimit Europian.

Ndaj Postimin: