Qeveria miraton amnistinë penale, 447 të dënuar lirohen menjëherë dhe 853 përfitojnë ulje dënimi. Jashtë skemës mbeten çështjet e SPAK dhe GJKKO

Qeveria ka miratuar këtë të premte projektligjin e amnistisë penale, një paketë që synon lehtësimin e mbipopullimit në burgje dhe dhënien e një shansi të dytë për kategori të caktuara të dënuarish. Projektligji pritet tashmë të depozitohet në Kuvend, ku për miratim kërkon 84 vota.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, bëri publik bilancin e përfituesve nga amnistia. Sipas tij, 447 persona të dënuar me vendim të formës së prerë do të lirohen menjëherë nga burgu, ndërsa 853 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu, 5077 persona që vuajnë dënime alternative në Shërbimin e Provës do të amnistohen, ndërkohë që ndjekja penale do të pushojë për rreth 14 mijë procedime që lidhen me vepra të lehta.

Ministri Lamallari theksoi se të dhënat janë përpunuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai e cilësoi amnistinë si një akt human, që synon rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror, pa cenuar luftën ndaj krimit të rrezikshëm.

Sipas shpjegimit të ministrit, 853 të dënuar që nuk përfitojnë falje të plotë për shkak të kategorisë së veprës penale do të kenë ulje dënimi, konkretisht:

  • 1 vit ulje për burrat
  • 1 vit e gjysmë ulje për gratë dhe të miturit

Një element tjetër i rëndësishëm i paketës është pushimi i ndjekjes penale për 14 mijë procedime të regjistruara për vepra të lehta, të kryera deri më 31 dhjetor 2025, për të cilat parashikohet dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të veprave që përfshihen në kriteret ndaluese.

Ministri i Drejtësisë nënvizoi se nga kjo amnisti nuk përfiton asnjë subjekt që hetohet apo gjykohet nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK dhe GJKKO). Sipas tij, kjo është një vijë e qartë ndarëse mes veprave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe atyre për të cilat ligji parashikon një qasje më rehabilituese.

“Qëllimi ynë është një sistem drejtësie që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një mundësi reale për rikthim në shoqëri. Amnistia nuk është tolerancë ndaj krimit, por përdorim më efikas i drejtësisë penale dhe ulje e panevojshme e paraburgimit, në përputhje me standardet europiane dhe rekomandimet e Këshillit të Europës”, u shpreh Lamallari.

Projektligji i amnistisë penale do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare. Nëse miratohet, efektet e tij pritet të ndihen menjëherë për qindra të dënuar dhe mijëra familje në të gjithë vendin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033