Një krim mjedisor po ndodh në heshtje në Pylli i Sodës. Zona e njohur si “mushkëria e qytetit”, dikur një hapësirë ku qytetarët kërkonin ajër të pastër dhe qetësi, sot është kthyer në një vendgrumbullim mbeturinash.
Pamjet e siguruara nga qytetarët tregojnë grumbuj mbetjesh të hedhura mes pemëve: xhama të thyer, mbetje urbane, inerte dhe pajisje sanitare të braktisura në zemër të natyrës. Banorët e zonës e cilësojnë situatën si një “krim mjedisor”, ndërsa kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tyre, Bashkia Vlorë, Policia Bashkiake dhe institucionet e mbrojtjes së mjedisit po tregojnë neglizhencë dhe heshtje totale përballë ndotjes së kësaj pasurie natyrore.
Zona ka një rëndësi të veçantë turistike, pasi rruga që kalon përmes Pyllit të Sodës të çon drejt Manastiri i Zvërnecit, një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj në jug të vendit. Për qytetarët, pamjet e mbetjeve në këtë aks përbëjnë një goditje të rëndë për imazhin turistik të Vlorës.
Banorët ngrenë disa pyetje publike:
Ku janë inspektorët e mjedisit dhe kontrollet në zonë?
Kush i lejon automjetet të hyjnë dhe të shkarkojnë mbeturina në një pasuri natyrore të qytetit?
Pse mungon monitorimi me kamera dhe patrullimet e vazhdueshme?
Qytetarët kërkojnë pastrim të menjëhershëm të zonës, identifikimin dhe ndëshkimin e ndotësve, si dhe monitorim 24 orë me masa ndëshkuese maksimale për çdo abuzues.
“Sot Vlora reklamohet si qytet turistik por realiteti në terren është ndotje, degradim dhe braktisje,” shprehen banorët e zonës jashtë kamre .