Prroi nuk është kosh plehrash!

Këto pamje nuk vijnë nga ndonjë vend i largët apo i braktisur, por nga prroi me emrin “Lunjë”, i cili përshkon njësinë administrative Karbunarë e Vogël dhe Rajonin 5 të qytetit të Lushnjës.

Një realitet shqetësues, ku mbeturinat kanë “mbretëruar” në brigje dhe janë kapur në degët e pemëve, si pasojë e mbetjeve urbane të hedhura nga vetë komuniteti.

Plastika është problemi më i madh dhe më i pranishëm: shishe, qese, ambalazhe njëpërdorimshe, goma makinash dhe shumë materiale të tjera. Ato bllokojnë çdo cep të rrjedhës së ujit, që nga nisja e prroit, duke e kthyer shpesh në burim përmbytjesh.

Plastika ngec në brigje, kapet në degë, copëtohet nga gurët dhe përfundon në ujëra, duke u shndërruar në mikroplastikë – një kërcënim serioz për jetën ujore, faunën, florën dhe në fund për vetë njeriun.

Prroi “Lunjë” mban mend gjithçka që ne i hedhim.

Ai nuk i zhduk mbetjet, por thjesht i transporton më tej, duke e përhapur ndotjen dhe pasojat e saj.

Ndotja e përrenjve dhe lumenjve nuk është problem i natyrës, por pasojë e menaxhimit të dobët të mbetjeve dhe e sjelljes sonë si shoqëri.

Thirrja është e qartë:

Të mbrojmë përrenjtë dhe lumenjtë sot, që nesër të kemi ujë të pastër, biodiversitet dhe jetë.

Sepse prroi dhe lumi janë pasuri, jo vend-depozitim mbetjesh.

Heshtja dhe neglizhenca sot do të thotë përmbytje nesër, ndotje të ujit dhe rrezik për shëndetin publik.

Çdo mbetje e hedhur pa përgjegjësi kthehet në pasojë për të gjithë komunitetin.

Mbrojtja e prroit “Lunjë” është detyrë qytetare dhe institucionale, jo zgjedhje opsionale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033