Një incident shqetësues u regjistrua këtë mëngjes mbi hapësirën ajrore të Baltikut, ku një aeroplan spiun rus depërtoi në territorin ajror të NATO-s. Lajmi u raportua nga e përditshmja gjermane Bild, duke bërë të ditur se dy avionë luftarakë gjermanë u ngritën menjëherë në ajër për të përgjuar dhe shoqëruar mjetin fluturues rus jashtë zonës së sigurisë.
Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe mes Francës dhe Rusisë. Shtabi i Përgjithshëm francez njoftoi se një avion patrullues francez, tipi Breguet 1150 Atlantic, u shënjestrua nga ushtria ruse gjatë një misioni të monitorimit të infrastrukturës nënujore në Detin Baltik. Sipas një postimi zyrtar në rrjetet sociale, avionit iu vu në shënjestër një radar kontrolli zjarri, gjë që konsiderohet si një kërcënim serioz në standardet ushtarake ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të faqes ushtarake ukrainase Militarnyi, sulmi i dyshuar me radar mund të ketë ardhur nga një njësi detare ruse, ndoshta një anije luftarake. Ky veprim ngre alarmin për rritjen e tensioneve në një rajon ku prania e NATO-s është tashmë e ndjeshme për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe veprimeve provokuese të vazhdueshme në Detin Baltik.
Në deklaratën e saj zyrtare, Franca e cilësoi këtë akt si “agresiv dhe të pajustifikuar”, duke nënvizuar se përbën një pengesë të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së lundrimit dhe vëzhgimit në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Megjithatë, shtoi se për momentin situata nuk ka degraduar më tej në një konfrontim të drejtpërdrejtë.
Sipas portalit United24, incidenti ndodhi mbi ujërat ndërkombëtare dhe përfshirja e radarit të tipit kontrolli zjarri shihet zakonisht si faza e parë e një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak. Ekspertët paralajmërojnë se një veprim i tillë rrit rrezikun e gabimeve fatale dhe përplasjeve të papritura mes forcave të NATO-s dhe Rusisë.
Ky është vetëm incidenti më i fundit në një seri provokimesh që kanë ngritur tensionet në kufijtë lindorë të Aleancës Atlantike. Prania ushtarake ruse pranë kufijve të NATO-s po bëhet gjithnjë e më agresive, ndërkohë që vendet anëtare të Aleancës kanë shtuar gadishmërinë dhe kanë intensifikuar patrullimet ajrore.
Ngjarja pritet të sjellë reagime të forta diplomatike në ditët në vijim, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë po e përshkruajnë si një “test të qëllimshëm” të reagimit të NATO-s në prag të një klime gjithnjë e më të brishtë sigurie në Europën Verilindore.