Protestë e banorëve kundër Bankers Petroleum
Banorë të zonave naftëmbajtëse në Fier kanë zhvilluar sot një protestë pranë zyrave të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe zgjidhjen e problematikave që, sipas tyre, kanë lindur nga aktiviteti i kompanisë.
Protestuesit shprehen kundër uljes së pagesave të qirave për tokat e fermerëve, ndërsa ngrenë shqetësime edhe për ndotjen, zhurmat dhe dëmtimin e banesave, të cilat, sipas tyre, shkaktohen nga shpërthimet e kryera gjatë aktivitetit të kompanisë.
Banorët kërkojnë që shqetësimet e tyre të merren në konsideratë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen në kërkesën për të drejtat që ata i konsiderojnë të mohuara.
Protesta u zhvillua më 12 gusht, në orën 10:00, pranë zyrave të Bankers Petroleum në Fier.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kërkesat e banorëve do të marrin një përgjigje nga kompania dhe institucionet përgjegjëse.