Protestat masive në Serbi: Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë bën thirrje për mbështetje dhe vëmendje nga rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar

Protestat masive të studentëve dhe qytetarëve serbë, të cilët mbushën sheshet para institucioneve shtetërore për të shprehur kundërshtimin ndaj korrupsionit dhe autoritarizmit, kanë ngjallur reagime të shumta, përfshirë atë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH).

Ky i fundit ka shprehur mbështetje për kurajon e protestuesve, duke e interpretuar këtë veprim si një demonstrim të zhgënjimit të një populli që kërkon llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave themelore, që janë thelbësore për çdo shoqëri demokratike.

Në reagimin e tij, Këshilli ka shprehur shqetësimin për veprimet represive të autoriteteve serbe, si nga institucionet politike ashtu edhe nga organet ligjzbatuese. Ambasadorët theksojnë se aspiratat e popullit serb nuk duhet të adresohen me represion, por me dialog, reforma dhe përkushtim për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike.

KASH gjithashtu ka bërë thirrje që qeveritë e rajonit t’u kushtojnë vëmendje këtyre protestave, duke i parë ato si një kujtesë për detyrën e tyre për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të tyre dhe për të garantuar një administratë që funksionon në interes të popullit. “Zërat e qytetarëve nuk duhet të shpërfillen, shtypen apo injorohen,” theksohet në deklaratën e Këshillit.

Këshilli shpreh gjithashtu shqetësimin për reagimin represiv të autoriteteve, duke kërkuar që institucionet dhe organet ligjzbatuese të ndalin çdo tentativë për të dobësuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ata shtojnë se mbështetja për shtypjen e disidencës është e papranueshme dhe se çdo lider duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve të tij.

Për më tepër, Këshilli kërkon që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë vigjilent dhe të mbështesë aktivisht ata që kërkojnë një të ardhme të bazuar në liri, integritet dhe qeverisje të vërtetë demokratike. Në një kohë kur destabilizimi dhe autoritarizmi po rriten, mbështetja e stabilokracisë në kurriz të demokracisë është një qasje shumë dritëshkurtër, sipas KASH.

Në përfundim, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë bëri thirrje për solidaritet dhe angazhim të të gjithëve që mbrojnë vlerat demokratike dhe që luftojnë për një shoqëri të drejtë. Protestat në Serbi, sipas Këshillit, janë një shenjë e nevojës urgjente për ndryshim dhe përkushtim të të gjitha qeverive për të siguruar liritë dhe të drejtat themelore për qytetarët e tyre.

Ndaj Postimin: