Kosova përballë Islandës, Foda: Mungesat janë, por besimi mbetet i fortë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur për mediat përpara dy ndeshjeve të rëndësishme të Play Off-it të Nations League ndaj Islandës. Ai theksoi se ekipi do të duhet të përballojë disa mungesa, por shprehu besim të madh te skuadra dhe mundësinë për të arritur rezultat pozitiv.

“Po, kemi disa mungesa, por tani duhet të gjejmë mënyra të tjera për të kompensuar këto mungesa dhe për të qëndruar të fortë. Ne e kemi studiuar Islandën dhe e dimë që është një kundërshtar shumë i vështirë – një ekip i fortë, i cili luan një futboll intensiv dhe agresiv. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, prandaj do të duhet të japim gjithçka në fushë”, tha Foda.

Trajneri i Kosovës theksoi rëndësinë e ndeshjes së parë, duke shpresuar që ekipi të mund të sigurojë një fitore në shtëpi. “Shpresoj shumë që të fitojmë në stadiumin tonë. Ne duhet të përpiqemi të rrisim intensitetin e lojës dhe të zbatojmë stilin tonë të lojës për të pasur mundësi për të fituar”, shtoi ai.

Në lidhje me Islandën, Foda e pranon se mundësitë për të fituar janë të barabarta, duke e cilësuar ndeshjen si një përballje ku gjithçka mund të ndodhë. “Islanda është një kundërshtar i fuqishëm, kështu që mundësitë janë 50 me 50. Një fitore në shtëpi do të na jepte një përparësi të madhe për ndeshjen e dytë”, tha Foda.

Trajneri kërkoi që ekipi të japë një paraqitje të mirë dhe të qëndrojë i bashkuar gjatë gjithë ndeshjes. “Është shumë e rëndësishme të paraqitemi si një ekip i fortë dhe i bashkuar. Duhet të tregojmë mentalitet të fortë dhe të mbështesim njëri-tjetrin gjatë lojës, sepse vetëm kështu mund të arrijmë tek fitorja”, theksoi ai.

Kosova do të përballet me Islandën në dy ndeshjet e ardhshme të Nations League, dhe të gjithë shpresat janë për një rezultat pozitiv që mund të çojë drejt kualifikimit më tej.

Ndaj Postimin: