Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, me reshje të dendura dëbore dhe shiu në disa zona të vendit, Policia e Shtetit ka forcuar praninë në terren.
Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Përgjithshme janë angazhuar për të monitoruar qarkullimin e mjeteve, parandaluar aksidentet dhe ndihmuar përdoruesit e rrugës që hasin vështirësi.
Policia i bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin udhëzimet dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur incidentet në këtë situatë të pazakontë.
Gjendja në disa akse rrugore kryesore:
- Aksi “Bypass-Qafë Murrizë”, Dibër: Ky segment është bllokuar përkohësisht nga Policia Rrugore për të shmangur probleme të mëtejshme si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës. Kompanitë kontraktore janë në terren duke punuar për pastrimin e rrugës.
- Aksi Fushë Arrëz – Iballë: Segmenti nga Qafë Shari deri te Laku i Ballçit është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të borës dhe erës së fortë. Bashkia Fushë Arrëz ka nisur mjetet borëpastruese për të hapur rrugën.
- Aksi Qafë Thanë – Librazhd: Ky segment ka vështirësi të mëdha për qarkullimin e kamionëve për shkak të reshjeve të pandërprera të borës.
Në të gjitha akset e tjera rrugore, lëvizja vijon normalisht. Borëpastrueset janë në terren duke punuar për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat.
Për shkak të reshjeve të shiut në disa zona të vendit, masat janë shtuar edhe në rrugët nacionale dhe urbane. Patrullat janë dislokuar për të siguruar lëvizje të qetë dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës.
Rekomandime për drejtuesit e mjeteve:
Policia apelon për kujdes maksimal. Drejtuesit e automjeteve duhet të moderojnë shpejtësinë, të shmangin parakalimet e rrezikshme, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të mjetit dhe të respektojnë sinjalizimet dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Në rast bllokimi të trafikut, është e rëndësishme të qëndrohet në radhë dhe të ndiqen udhëzimet e patrullave për të shmangur përplasjet apo pengesat e panevojshme.
Ndihma në raste emergjente:
Përdoruesit e rrugës që hasin probleme mund të kontaktojnë Policinë e Shtetit përmes numrit pa pagesë 112. Shërbimet policore janë në gatishmëri dhe do të reagojnë menjëherë për të ofruar ndihmë.
Me praninë e shtuar në terren dhe masat e marra, Policia e Shtetit synon të garantojë sigurinë e qarkullimit dhe ndihmën për çdo qytetar gjatë këtyre ditëve me mot të vështirë.