Berisha: Me 11 maj, ata që parashikuan zhdukjen tonë do të përballen me disfatën e merituar

Në një fjalim të mbajtur në Lezhë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se ata që kishin parashikuar fundin e PD-së do të marrin disfatën e merituar më 11 maj.

Berisha deklaroi se PD është më e bashkuar dhe më e fuqishme se kurrë, e gatshme për të fituar sfidat e ardhshme.

Berisha e nisi fjalimin duke pranuar se edhe Partia Demokratike ka bërë gabime, por theksoi se gjithmonë ka pasur guximin t’i njohë dhe të punojë për korrigjimin e tyre. Ai përmendi episodin e skemave piramidale, duke theksuar se dorëzimi i pushtetit atëherë ishte një akt i lartë moral për të treguar se PD nuk kishte prekur asnjë qindarkë të qytetarëve.

“Merita jonë kryesore është që asnjëherë nuk jemi ndarë nga qytetarët. Kjo është ajo që na dallon dhe na bën më të fortë,” tha ai, duke shtuar se PD mbetet pranë halleve dhe nevojave të shqiptarëve.

Duke bërë një krahasim me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, Berisha tha se suksesi nuk varet nga mbështetja e elitave apo mediave, por nga lidhja e drejtpërdrejtë me qytetarët. “Edhe pse kundërshtarët tanë kanë pasur mbështetje të fuqishme nga jashtë, si ajo e George Soros, ata dështuan, sepse ne jemi të lidhur me popullin dhe hallet e tij,” theksoi Berisha.

Ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar për instalimin e një “narkodiktature” dhe për përvetësimin e zgjedhjeve dhe pasurive publike. Sipas tij, PD ka qenë gjithmonë një zë qëndrese kundër grabitjeve dhe abuzimeve.

“Ne jemi këtu pas një kalvari sulmesh të padrejta. Por ia dolëm t’i mbijetojmë çdo përpjekjeje për të na përçarë apo për të na rrëzuar. Na morën flamurin, por ne e rimorëm dhe tani e mbajmë më krenar se kurrë. Ata menduan se do të na zhduknin, por ja ku jemi, më të bashkuar dhe më të vendosur,” tha Berisha.

Në përfundim, Berisha shprehu bindjen se PD është më e sigurtë se kurrë për fitoren e saj, falë unitetit dhe programit që ofron zgjidhje konkrete për qytetarët shqiptarë. “11 maji do të jetë dita kur ata që parashikuan fundin tonë do të përballen me realitetin e një PD-je të fortë dhe të pandalshme drejt fitores,” përfundoi ai.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera