Edhe pse jemi në ditët e para të shtatorit, qyteti liqenor i Pogradecit vijon të presë turistë vendas dhe të huaj.
Me temperaturat që kanë nisur të ulen dhe mbrëmjet më të freskëta, Pogradeci ruan ritmin e sezonit turistik, ndërsa shëtitorja buzë liqenit vijon të jetë një nga pikat më të frekuentuara nga vizitorët.
Atmosfera e qetë, peizazhi i liqenit dhe mikpritja e banorëve janë ndër elementët që vazhdojnë ta bëjnë këtë qytet një destinacion të preferuar edhe jashtë muajve të pikut të sezonit veror.
Edhe bizneset vijojnë të jenë të hapura dhe në shërbim të turistëve. Çmimet, sipas operatorëve dhe vizitorëve, mbeten përgjithësisht të arsyeshme, duke e bërë Pogradecin një alternativë tërheqëse për ata që zgjedhin të pushojnë edhe gjatë kësaj periudhe.
Qyteti i Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, mes liqenit, shëtitores, trëndafilave dhe traditës së tij të veçantë, ofron mundësi për pushime, shëtitje, gastronomi dhe turizëm gjatë gjithë vitit.
Në këto ditë të para të vjeshtës, vizitorët vijojnë të shijojnë bukuritë e qytetit, ndërsa bizneset lokale shpresojnë që sezoni turistik të zgjasë sa më shumë.
Pogradeci mbetet një nga qytetet ku turizmi është kthyer në një prej krenarive të tij më të mëdha, duke sjellë çdo vit vizitorë nga vendi dhe jashtë tij.
Kamera e TV Apollon sjell këto pamje nga qyteti liqenor, ku vera po largohet gradualisht, por turizmi vijon të mbetet i pranishëm në rrugët dhe shëtitoren e Pogradecit.