Pogradeci i jep një “shuplakë” Lushnjës në “Roza Haxhiu”, verdhejeshilët në rënie të lirë !

Nga Gazetari Ndricim Gjoshi .
Rreth 800 tifozë sfiduan motin për të ndjekur në stadiumin “Roza Haxhiu” përballjen mes Lushnjës dhe Pogradecit, por u larguan të zhgënjyer. Në një sfidë me intensitet të moderuar dhe me pak raste të pastra, liqenorët u treguan më cinikë dhe triumfuan 2-1. Golat e Ezekiel dhe Pere mjaftuan për Pogradecin, që i mori tri pikë të arta Lushnjës në shtëpinë e saj, pavarësisht barazimit të përkohshëm të Wilfried. Loja e Lushnjës la shumë për të dëshiruar, me gabime në organizim, paqartësi taktike dhe mungesë agresiviteti në sulm. Rezultati ka ngjallur reagime të forta tek specialistët e futbollit dhe tifozët lushnjarë, të cilët pyesin me shqetësim: Ku po shkon ky ekip? Ndeshje pas ndeshjeje, verdhejeshilët duken në rënie të lirë, duke i kthyer objektivat sezonale në pikëpyetje të mëdha. Tashmë presioni është te stoli dhe drejtuesit e klubit, që duhet të reflektojnë shpejt për të ndryshuar ecurinë, përndryshe, sezoni mund të shkojë drejt një rruge pa kthim. Humbja në shtëpi ndaj një kundërshtari direkt si Pogradeci shton edhe më shumë krizën te verdhejeshilët, që rrezikojnë të humbasin kontaktin me kreun e renditjes. Mungesa e qartësisë në lojë dhe një stol që nuk transmeton zgjidhje, po thellon paqartësinë. Tifozët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga drejtuesit dhe lojtarët, për të mos e çuar sezonin drejt dështimit. Kërkohet një analizë e thellë teknike dhe psikologjike e ekipit. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, atëherë Lushnja mund të përfundojë jashtë objektivave të sezonit.

Ndaj Postimin: