Plazhi i Divjakës edhe në ditët e para të vjeshtës.

Plazhi i Divjakës vazhdon të frekuentohet edhe në këto ditë të para të vjeshtës, ndonëse në një numër shumë më të vogël pushuesish.

Bregdeti ranor i Divjakës, i cili gjatë muajve të verës priti një numër të lartë turistësh, vijon të tërheqë vizitorë edhe pas përfundimit të sezonit veror. Rëra e kristaltë, deti i kaltër, pylli me pisha, gjelbërimi dhe laguna e Karavastasë e bëjnë këtë zonë një prej destinacioneve më të frekuentuara jo vetëm nga banorët e Divjakës dhe Lushnjës, por edhe nga qytete të tjera si Rrogozhina, Elbasani, Belshi, Gramshi, Kuçova, Berati e Dimal.

Temperaturat e larta të kësaj vere favorizuan një sezon të gjatë turistik, duke sjellë pushues në brigjet e Divjakës edhe gjatë ditëve të para të shtatorit.

Ndërkohë, bizneset që gjatë verës shërbyen pushuesit nën çadrat dhe shezlonet e tyre, tashmë kanë nisur çmontimin e strukturave prej druri, për t’u rikthyer sërish në sezonin e ardhshëm.

Por për bizneset lokale, Divjaka ka nevojë për projekte afatgjata që do ta zhvillonin turizmin edhe gjatë dimrit. Ata kërkojnë investime të qëndrueshme, struktura druri dhe ambiente që plotësojnë kushtet dhe standardet sanitare, duke i dhënë zonës mundësinë të presë vizitorë gjatë gjithë vitit.

Në një park kombëtar ku natyra ka falur detin, rërën, pyllin me pisha, gjelbërimin dhe lagunën e Karavastasë, kërkohen investime të qëndrueshme dhe një zhvillim i kontrolluar, në vend të kioskave sezonale që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme.

Pavarësisht se sezoni veror ka përfunduar, pushues të paktë vijojnë të gjenden në brigjet ranore të Divjakës, duke dëshmuar se kjo zonë mund të jetë një destinacion turistik edhe përtej muajve të verës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033