Plagosje me armë zjarri në Zvicër: Shqiptari goditet nga “breshëri” plumbash, hetime në zhvillim

Një shtetas shqiptar i Kosovës mbetet i plagosur në Zvicër pas të shtënave nga një BMV ndaj një makine të parkuar në Brugg AG.

Një ngjarje e dhunshme me armë zjarri ndodhi të shtunën pasdite në Brugg AG, Zvicër, kur disa persona u përfshinë në një përplasje që përfundoi me të shtënat ndaj një makine Skoda. Ngjarja la të plagosur një shtetas shqiptar të Kosovës , i cili ndodhej në makinë së bashku me një tjetër person.

Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Aargaut, të shtënat e armëve u dëgjuan ndërkohë që një BMV qëlloi në drejtim të një makine Skoda, e cila ishte e parkuar në një zonë parkimi. Dy persona ndodheshin në makinë, dhe njëri prej tyre, një 31-vjeçar nga Kosova, mori plagë nga plumbat dhe u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Kantonal në Baden.

Zona ku ndodhi ngjarja u rrethua menjëherë nga forcat e policisë, që ndërmorën masa të rrepta sigurie për të mbajtur kontroll mbi situatën. Po ashtu, tensioni i ngjarjes u zhvendos edhe në spitalin e Baden, ku forcat e rendit patën një prani të madhe për shkak të natyrës serioze të incidentit. Sipas portalit Blick.ch, autoritetet vendosën masa të shtuara sigurie edhe brenda ambienteve të urgjencës së spitalit.

Në lidhje me këtë ngjarje, autoritetet lokale njoftuan se kanë identifikuar një shtetas zviceran 24-vjeçar si të dyshuar kryesor. Ai u arrestua më vonë gjatë ditës së shtunë, së bashku me një tjetër shtetas shqiptar të Kosovës, dhe të dy janë ndaluar përkohësisht nga policia.

Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me moshën e të dyshuarit të dytë, as nëse ai ka qenë në automjetin BMV në momentin e të shtënave. Prokuroria ka nisur procedurat penale për këtë ngjarje, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit dhe për të përcaktuar nëse ai ka lidhje me ngjarje të tjera të mundshme.

Ndaj Postimin: