Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë shkaktuar probleme të mëdha në disa qarqe të Shqipërisë, duke prekur qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, veçanërisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një njoftim ku bën me dije se situata më problematike është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës. Në bashkinë e Gjirokastrës, dëbora ka prekur njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino është afruar në trupin e rrugës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra si Odrie, Lunxhëri dhe Zagori, po punohet për lirimin e akseve të bllokuara dhe për riparimin e një ure të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë. Gjithashtu, në bashkinë e Dropullit, ura e Glinës ka mbetur problematike, ndërkohë që po punohet për lirimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë.
Në qarkun e Lezhës, reshjet e dëborës kanë prekur edhe zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Ndërkohë, është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë. Në qarkun e Vlorës, niveli i ujit në lumin Vjosë ka filluar të bie, por nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, megjithatë pa shkaktuar dëme në banesa, vetëm ujë në oborre.
Në Elbasan dhe Peqin, dëbora dhe ngricat kanë bllokuar disa akse rurale, ndërsa në Dibër, forcat e emergjencës civile janë angazhuar për lirimin e akseve të bllokuara nga akulli dhe rrëshqitjet e dherave. Po ashtu, ekipet e OSHEE janë duke punuar për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Forcat e Armatosura, Mbrojtja Civile, Policia dhe shërbimet bashkiake janë të angazhuara në terren për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit. Ajo i ka bërë thirrje banorëve të zonave të prekura të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë.