Përfundon kursi i 20-të Bazë “Komando”, Vengu: E ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës është në NATO

Pas 14 javësh stërvitjeje intensive dhe sakrifice, 24 efektivë përmbyllën me sukses Kursin e 20-të Bazë “Komando”.

Pjesë e këtij grupi të suksesshëm ishin edhe 8 ushtarakë nga Kosova, ndërsa për herë të parë, kursin e finalizuan dy gra, duke shënuar një moment të rëndësishëm për përfshirjen e grave në operacionet speciale.

Ceremonia e ndarjes së beretave të famshme u zhvillua në prani të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe homologut të tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, si dhe drejtuesve të lartë të Forcave të Armatosura dhe familjarëve të kursantëve.

Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi rëndësinë e këtij kursi për sigurinë kombëtare dhe rajonale, duke vlerësuar angazhimin e efektivëve. “Sot fillon rrugëtimi i tetë pjesëtarëve të Forcave Speciale të Kosovës që do t’i shërbejnë vendit të tyre në një periudhë sfidash për sigurinë globale,” tha ai.

Ministri shtoi se vetëmohimi dhe përkushtimi janë çelësi për suksesin në këtë fushë. “Ju keni kaluar një provë të jashtëzakonshme jo vetëm fizike, por edhe mendore e profesionale. Jeni pararojë e forcave tona ushtarake, dhe rruga që zgjodhët forcon të ardhmen e sigurisë së Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit.”

Vengu theksoi gjithashtu synimin e përbashkët për integrimin e plotë në strukturat e NATO-s. “Shqipëria dhe Kosova janë njësh shpirtërisht e historikisht. Aleanca Atlantike është e ardhmja e përbashkët, dhe ne jemi të përkushtuar për t’i dhënë Kosovës mbështetjen e plotë drejt kësaj rruge.”

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment kulmor në marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes.

Gjatë ceremonisë, kursantët demonstruan aftësitë e fituara, përfshirë qitje me pengesa, luftim trup më trup, si dhe teknika infiltrimi nga ajri dhe toka. Kursi, i ndarë në tre faza, nisi me 38 pjesëmarrës, por vetëm më të fortët dhe më të përkushtuarit arritën ta përfundojnë me sukses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera