Pensionet tona më të ulëtat në rajon, pensionistët në varfëri.

Shqipëria, për fat të keq, ka nivelin më të ulët të pensioneve në të gjithë Europën, edhe më të ulët se në disa shtete me ekonomi më të vogla, si Bosnja e Hercegovina.

Për shembull, pensioni mesatar në Bosnjë është 305 euro, në Serbi është 390 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi është 325 dhe 300 euro respektivisht. Edhe Kosova, një shtet më i ri, ka pensione më të larta, me një pension social prej 120 eurosh dhe një pension mesatar që ka arritur në 287 euro pas rritjeve të fundit. Në Shqipëri, pensioni mesatar është vetëm 85 euro, një shumë shumë e ulët për standardet e Europës, që tregon një hendek të thellë në sistemin e pensioneve.

Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, vëren se ndryshimet në buxhet nuk kanë sjellë ndonjë politikë reale për rritjen e pensioneve. Ai thekson se deri tani, qeveria ka mbajtur vetëm një politikë indeksimi, që ka për qëllim të mbulojë rritjen e çmimeve të shportës së mallrave, por nuk ka pasur një rritje të vërtetë të pensioneve. Sipas tij, kjo do të jetë politika e njëjtë edhe vitin e ardhshëm, duke e bërë situatën të papërmirësueshme për pensionistët.

Duke parë periudhën 2005-2013, vërehet se pensioni mesatar në qytet është rritur nga 8,383 lekë në 14,076 lekë, një rritje prej 68%. Kjo periudhë përfaqëson një rritje mesatare vjetore prej 711 lekësh. Megjithatë, në dekadën e fundit, rritja ka qenë shumë më e ngadaltë. Nga 2013 deri në 2023, pensioni mesatar në qytet është rritur vetëm me 3,823 lekë, një rritje prej 26.3%, që është dy herë më pak se në periudhën e kaluar. Kjo tregon se pensionet nuk janë përballuar me inflacionin dhe rritjen e shpenzimeve të jetesës.

Në fshat, pensionet kanë pasur një rritje më të madhe gjatë periudhës 2005-2013, me një shtesë prej 4,647 lekësh (165%), por që nga 2013, rritja ka qenë shumë më e ngadalshme, vetëm 41% (3,226 lekë). Pensioni mesatar aktualisht është 14,500 lekë në muaj, me 18,000 lekë për qytetin dhe 11,000 lekë për fshatin. Kjo është shumë e ulët, pasi një pensionist jeton me vetëm 480 lekë në ditë, një shumë që e vendos ata nën nivelin e varfërisë sipas definicionit të Bankës Botërore.

Informaliteti

Ekspertët theksojnë se problemi më i madh për sistemin e pensioneve mbetet informaliteti në tregun e punës dhe sektori i vetëpunësuar në bujqësi, ku shumë individë nuk paguajnë kontribute. Kjo është një plaga që ka penguar rritjen e mundshme të fondeve për pensionet. Aktualisht, numri i të punësuarve formalisht është rritur nga 480,000 në vitin 2013 në 731,000, por ende të ardhurat nga fondi i sigurimeve nuk janë të mjaftueshme për të përballuar kërkesat për pensione.

Në përpjekjet për të mbledhur më shumë kontribute, qeveria ka njoftuar një aksion antinformalitet, që do të fokusohet në kontrolle të bizneseve që nuk deklarojnë pagat reale dhe të punësuarit. Megjithatë, shumë ekspertë janë skeptikë për rezultatet e këtij aksioni, duke vënë në dukje se kjo luftë ka qenë më shumë një aksion sezonal sesa një angazhim të përhershëm. Ata gjithashtu theksojnë se shumë biznese, sidomos ato të turizmit dhe të shërbimeve, operojnë në tregun e zezë dhe nuk paguajnë taksat që duhen, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën e pensioneve.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2025, të ardhurat nga sigurimet shoqërore pritet të shtohen me 89 milion euro, dhe për vitin 2023, ato janë rritur me 110 milion euro. Megjithatë, kjo rritje është më e ulët krahasuar me vitet e kaluara, dhe ekspertët janë të shqetësuar për efektivitetin e aksioneve të reja antinformalitet. Sipas tyre, qeveria duhet të fokusohen në luftën e vërtetë kundër informalitetit dhe të zhvillojë një plan të qëndrueshëm për të mbështetur pensionistët dhe për të ndihmuar ata të jetojnë më dinjitozisht.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera