Pedri ka firmosur një rinovim kontrate me Barcelonën, duke u angazhuar deri në vitin 2030.
Pas nënshkrimit, mesfushori i ri ka shprehur hapur lumturinë e tij për këtë arritje, duke theksuar se është një nga momentet më të bukura të karrierës së tij.
“Është gjëja më e mirë që më ka ndodhur prej shumë kohësh,” shprehet Pedri, i cili ka përjetuar emocione të forta pas nënshkrimit të rinovimit. “Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kam qenë kështu i lumtur. Po shijoj futbollin, dhe kjo është ajo që më pëlqen më shumë,” tha ai, duke e theksuar faktin se është shumë i kënaqur me eksperiencën e tij në Barcelonë.
Mesfushori falënderoi trajnerin dhe klubin për besimin që kanë treguar ndaj tij, duke shtuar se tani është koha për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe për të rikthyer këtë besim në fushë, duke sjellë tituj për ekipin. “Tani është koha për të fituar tituj, për atë që është krijuar ky klub,” tha Pedri, duke treguar objektivat e tij dhe të skuadrës për të ardhmen.
Pedri e sheh Barcelonën si një skuadër të re dhe shumë të talentuar, që do të vazhdojë të përmirësohet me kalimin e kohës. “Ne kemi një ekip të shkëlqyer, shumë të ri, dhe jam i sigurt që do të jemi edhe më të fortë pas disa vitesh,” shtoi ai.
Për të, qëndrimi në Barcelonë ka qenë gjithmonë një ëndërr, një ëndërr që tani ka arritur të bëhet realitet. “Jam i lumtur që jam këtu ku kam dëshiruar gjithmonë. Po e shijoj çdo moment të përvojës time këtu,” theksoi ai.
Me këtë rinovim, Pedri vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të projektit të Barcelonës, dhe për të, çdo ditë e kaluar me këtë ekip është një ëndërr që vazhdon të realizohet. “E kam thënë shpesh, ishte një ëndërr e realizuar dhe tani realiteti është edhe më i bukur se sa mund ta kisha imagjinuar,” përfundoi ai.